Një anije tregtare kontejnerësh është sulmuar rreth 15 milje detare në verilindje të Omanit, sipas Zyrës së Operacioneve Detare Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), ndërsa fatmirësisht nuk raportohen të lënduar mes anëtarëve të ekuipazhit.
Sipas informacionit zyrtar, kapiteni i anijes ka raportuar se një motoskaf i lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) iu afrua fillimisht mjetit lundrues. Pak më pas, anija u qëllua, duke pësuar dëmtime serioze. Megjithatë, autoritetet theksojnë se nuk ka pasur zjarr në bord dhe as ndotje mjedisore, ndërsa ekuipazhi mbetet i sigurt.
Ndërkohë, media iraniane Nour News, e lidhur me Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, pretendon se forcat iraniane hapën zjarr pasi anija kishte injoruar paralajmërimet e dhëna nga autoritetet ushtarake në Ngushticën e Hormuzit. Sipas saj, dëmet e shkaktuara nga sulmi janë të konsiderueshme.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ku përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit kanë përfshirë edhe komponentin detar. Edhe pse një pjesë e flotës iraniane është goditur gjatë konfliktit, Garda Revolucionare vijon të operojë me mjete të vogla sulmuese, të pajisura me armatime të lehta dhe të afta për operacione të shpejta në det.
Autoritetet detare ndërkombëtare kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar në zonë, ndërsa situata mbetet e tensionuar në një nga rrugët më strategjike të transportit të naftës në botë.


