Gazetari dhe prezantuesi televiziv rus Vladimir Solovyov ka sulmuar sërish kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke përdorur tone të ashpra dhe akuza të rënda.
Pas deklaratave të mëparshme në televizion, që çuan në thirrjen e ambasadorit rus nga Ministria e Jashtme italiane, Solovyov publikoi një mesazh në Telegram drejtuar Melonit.
“Zonja Meloni, po ju flas si një hebre, i persekutuar edhe një herë nga autoritetet italiane. Kjo ka ndodhur më shumë se një herë në historinë italiane. Unë nuk jam propagandist, por një hebre dhe antifashist”, shkroi ai.
Më tej, ai e akuzoi kryeministren italiane si “ndjekëse të fashistit Musolini”, duke e lidhur atë me përgjegjësinë historike për krimet e regjimeve fashiste dhe naziste.
“Duke ndarë idetë e Musolinit, ju jeni bashkëpunëtore në të gjitha krimet e Italisë fashiste dhe, logjikisht, duhet të jeni bashkëpërgjegjëse për to”, shtoi Solovyov.
Ai akuzoi gjithashtu Italinë për mbështetje ndaj Ukrainës, të cilën e cilësoi si “shtet nazist”, duke pretenduar se kryen sulme terroriste në territorin rus.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi në rrjetin social X në mbështetje të Melonit dhe Italisë.
“Gjithë respektin tim për ty, Giorgia, dhe për të gjithë Italinë. Propagandistët e mjerë rusë nuk do të jenë në gjendje të shpërqendrojnë ata, busulla e të cilëve është mbrojtja e interesave kombëtare të vendit të tyre”, shkroi Zelensky.
Ai falënderoi Italinë dhe qytetarët italianë për, sipas tij, qëndrimin e qartë në mbështetje të Ukrainës.


