Japonia nxjerr emër të ri për vapën përvëluese: Temperatura “brutalisht” të larta!

Published:

Autoritetet japoneze njoftuan përdorimin e një termi të ri për ditët kur temperaturat arrijnë ose edhe i kapërcejnë 40 gradët Celsius.

Pasi vendi përjetoi vitin e kaluar verën më të nxehtë në histori, në mediat vendase po përdoret termi “kokushobi”, që përkthehet si “ditë jashtëzakonisht e nxehtë”, “brutalisht e nxehtë” ose “mizorisht e nxehtë”. Emri u zgjodh si më i preferuari në një sondazh kombëtar online, ndërsa në vend të dytë u rendit propozimi “ditë ekstremisht e nxehtë”.

Ngjarjet ekstreme të motit, si valët e të nxehtit, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në mbarë botën, të nxitura sipas ekspertëve, nga aktivitetet njerëzore si djegia e lëndëve djegëse fosile. Përshkrimi i ri i prezantuar nga Japan Meteorological Agency (JMA), përdor fjalën “koku”, që do të thotë i ashpër ose mizor, për të përshkruar nxehtësinë. Sondazhi u zhvillua në shkurt dhe mars dhe mori rreth 478,000 përgjigje, ku pjesëmarrësit zgjodhën termin e preferuar nga 13 opsione për të përshkruar ditët më të nxehta.

Japonia tashmë përdor terma për ditët mbi 25°C, 30°C dhe 35°C, por ky term i ri synon të përshkruajë temperatura edhe më ekstreme. Ky ndryshim vjen pasi vendi përjetoi temperatura rekord vitin e kaluar. Vera e vitit 2025 ishte më e nxehta që nga fillimi i regjistrimeve në 1898, me temperatura mesatare kombëtare 2.36°C mbi normalen. Temperaturat kaluan 40°C në nëntë ditë gjatë periudhës qershor-gusht, me një rekord të ri kombëtar prej 41.8°C në qytetin Isesaki.

Numri total i ditëve ekstremisht të nxehta theu gjithashtu rekordin e mëparshëm të vitit 2024. Tokyo regjistroi 25 ditë mbi 35°C (krahasuar me mesataren 4.5), ndërsa Kyoto pati 52 ditë mbi këtë temperaturë (kundrejt mesatares 18.5). Edhe për këtë verë, JMA parashikon një probabilitet të lartë për temperatura mbi normalen në Japoni gjatë muajve qershor–gusht.

Related articles

spot_img

Recent articles

spot_img