TIRANË– Për herë të dytë në më pak se dy muaj, 60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk u helmuan dhe shkak dyshohet se u bë sërish ushqimi katering që vijon të shërbehet nga kompania “SORI-AL”. Report Tv mësoi mënunë e konsumuar në darkë, mostrat e së cilës janë marrë nga AKU për të përcaktuar shkakun. Herën e parë kompania u gjobit me 1.5 milionë lekë, ndërsa iu zhbllokua aktiviteti.
Fillimisht ishin 31 kursantë që mbrëmjen e së mërkurës patën simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, dhe përfunduan në spital për ndihmë mjekësore. Pas tyre, mëngjesin e sotëm u paraqitën me simptoma helmimi në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë që u dërguan po ashtu në spitalin Infektiv në QSUT.
Report Tv mësoi përmes burimeve se kursantët, të cilët ishin kthyer të hënën në ambientet e Akademisë, nga praktika disa javore nëpër komisariate, kanë konsumuar në vaktin e darkës të mërkurën pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë. Ushqimi në Akademi ofrohet nga kompania private e kateringut “SORI-AL”.
Për rastin, ka nisur një hetim i përbashkët i Komisariatit nr. 1, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Policia njofton zyrtarisht se AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike. Ndërsa priten edhe përgjigjet e analizave të spitalit ku u tyrajtuan kursantët, për të përcaktuar shkakun e helmimit.
Nga ana e saj kompania hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke deklaruar se brenda Akademisë ka raste të hyrjes së ushqimit të porositur nga jashtë.
Read more:Helmohen sërish 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë nga ushqimi i SORI-AL
“Janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar. Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet”, tha kompania.
Megjithatë helmimi në masë duket se e rrëzon këtë hipotezë. Për më tepër që ky është rasti i dytë në më pak se dy muaj. Më 7 maj, 56 studentë u helmuan nga ushqimi me katering, i shërbyer nga e njëjta kompani “SORI-AL”, me administrator Alma Tafanin, gruan e Nikolin Jakës. Në atë rast, mostrat e analizuara zbuluan se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret escherichia coli dhe stafilokok. Një fakt që dëshmon mungesë të kushteve të përshtatme të higjienës, si në mjediset ku është përpunuar ushqimi ashtu dhe të personave që e kanë trajtuar.
Kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia e kompanisë Kristjana Plaka, po hetohen të lirë. AKU, fillimisht bllokoi aktivitetin e SORI-AL dhe u gjobit me 1.5 milionë lekë për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Por më pas e la të lirë kompaninë të vijonte aktivitetin.
Për rastin e parë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim, por ende nuk dihet të ketë ndonjë përfundim.
Read more:Lajme nga Sociale – Shqiptarja.com
Njoftimi i policisë:
Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Helmimi i 60 studentëve, Hita mbledh me urgjencë drejtuesit e Akademisë së Sigurisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita mbledh me urgjencë drejtuesit e Akademisë së Sigurisë për të analizuar situatën e helmimit të 60 kursantëve. Mësohet se Hita ishte në Akademi edhe në mesnatë menjëherë pasi studentët kanë shkuar në Repartin Infektiv të QSUT-së për ndihmë mjekësore, ndërsa ka urdhëruar hetim të plotë të zbardhjes së rrethanave të kësaj ngjarjeje si dhe vënien para përgjegjësive ligjore të personave përgjegjës.
Helmimi i 60 kursantëve të Akademisë së Sigurisë, reagon SORI-AL: Aty futen edhe produkte ushqimore nga jashtë, mungesë higjene gjatë konsumimit

Foto: Akademia e Sigurisë
Pas helmimit të 60 kursantëve të Akademisë së Sigurisë, kompania “Sori-Al” që ofron shërbimin e kateringut në Akademinë e Sigurisë ka reaguar nëpërmjet një deklarate.
shprehet se gjatë monitorimeve të kryera ka konstatuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë së produkteve ushqimore të porositura nga jashtë.
Gjithashtu, sipas deklaratës pretendohet se gjatë ofrimit të shërbimit janë evidentuar mangësi në disa kushte higjieno-sanitare, si mungesa e mundësisë për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent para vakteve ushqimore.
Deklarata e plotë:
Në vijim të deklaratave tona të mëparshme dhe duke mbetur plotësisht të angazhuar për transparencë dhe bashkëpunim me institucionet, Shoqëria “SORI-AL” Sh.p.k. ndjen detyrimin të reagojë lidhur me publikimet në portale të bëra gjatë ditës së sotme për një ngjarje të re të raportuar pranë Akademisë së Sigurisë.
Që nga momenti i marrjes dijeni për shqetësimet shëndetësore të raportuara, përfaqësuesit e shoqërisë kanë ndjekur nga afër situatën, duke qëndruar në kontakt me autoritetet përgjegjëse dhe duke u interesuar vazhdimisht për gjendjen shëndetësore të studentëve, të cilët, sipas informacionit të marr, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë rikthyer të gjithë në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Kjo është hera e dytë që raportohet një episod i tillë në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Pikërisht për këtë arsye, edhe pas ngjarjes së muajit maj, Shoqëria “SORI-AL” Sh.p.k mori masa të shtuara kontrolli dhe monitorimi të proçesit të prodhimit, transportit, shpërndarjes dhe konsumimit të ushqimit, duke forcuar autokontrollin dhe mbikëqyrjen në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor. Në kuadër të këtij monitorimi janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar. Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet.
Read more:Helmohen 40 studentë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, dyshohet ushqimi
Shoqëria “SORI-AL” përgatit dhe shpërndan çdo ditë mbi 1.000 racione ushqimore, duke operuar prej më shumë se 23 vitesh në sektorin e kateringut për entet publike. Gjatë gjithë kësaj periudhe aktiviteti, kompania ka ndërtuar reputacionin e saj mbi respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe nuk është përballur më parë me episode të ngjashme të përsëritura në një interval kaq të shkurtër kohor. Ky fakt e bën edhe më të domosdoshme që çdo rrethanë të analizohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe pa paragjykime.
Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të Akademisë së Sigurisë që, krahas hetimit të kësaj ngjarjeje, të forcojnë monitorimin e respektimit të rregullave për konsumimin e ushqimit brenda institucionit, duke garantuar që të mos futen dhe konsumohen produkte ushqimore nga burime të pakontrolluara. Po ashtu, nga monitorimet dhe verifikimet e kryera nga stafi ynë gjatë ofrimit të shërbimit është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve. Gjithashtu, është vërejtur se në shumë raste studentët paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjes. Këto rrethana nuk paraqiten për të shmangur apo transferuar përgjegjësi, por për të evidentuar se siguria ushqimore është rezultat i funksionimit të të gjithë zinxhirit të sigurisë, duke përfshirë jo vetëm prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit, por edhe mënyrën dhe kushtet në të cilat ai ruhet dhe konsumohet. Për këtë arsye, vlerësojmë se edhe këta faktorë duhet të jenë pjesë e hetimit dhe analizës objektive të institucioneve kompetente.
Shoqëria “SORI-AL” mbetet e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente dhe kërkon që edhe kjo ngjarje të hetohet mbi bazën e provave shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pa nxjerrë përfundime të parakohshme dhe pa dëmtuar padrejtësisht reputacionin e një kompanie që prej më shumë se dy dekadash operon në këtë sektor. Shoqëria “SORI-AL” mbetet në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të kampioneve të marra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe të analizave të kryera, me iniciativën e saj dhe në mënyrë të pavarur, pranë një laboratori tjetër të akredituar, në kuadër të sistemit të autokontrollit. Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k.




