Protesta e 27-të për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë u shoqërua edhe me leximin e një letre të arkitektit holandez Reinier de Graaf, e cila u prezantua nga gazetari Marsel Rupi para protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë.
Në letër, arkitekti përdor ironi për të komentuar situatën politike në Shqipëri dhe marrëdhënien mes pushtetit dhe arkitekturës, duke shkruar se, për interesat e profesionit të tij, do të ishte më mirë që zgjedhjet të anuloheshin dhe Edi Rama të bëhej “president i përjetshëm, madje edhe mbret”.
Letra:
Profesioni ynë historikisht varet nga patronazhi politik dhe disa mendime të zymta më kanë kaluar nëpër kokë kohët e fundit. Çfarë do të ndodhë nëse socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet? A do të mbarojë papritur kjo mekë e arkitekturës bashkëkohore? A do të thahet papritur një pus pune në dukje i pashtershëm? A mund të duhet që Ushtria e Arkitekteve të lëshojë armët aq shpejt sa u mobilizua?
Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët, do të ishte më mirë, nëse zgjedhjet e ardhshme, thjesht do të anuloheshin. Madje do të shkoja një hap më tej.
Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbështetëse i ndriçuar i arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më kurrë zgjedhje, dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, do të vazhdonit si president përjetë, ndoshta edhe Mbret.
Ngjarje të mëdha historike po zhvillohen ndërsa flasim. Autokracia po fiton me shpejtësi terren si forma përfundimtare e qeverisjes së shekullit të njëzet e një. Shpresat për një alternativë produktive po shkatërrohen çdo ditë. Duket se po dëshmojmë fundin e “Fundit të Historisë”. Në këtë kontekst, lutja ime është aq e thjeshtë sa edhe e drejtpërdrejtë, Në një botë autokracish, a mund të kemi një autokrat dashamirës me shije?
E di që ajo që po kërkoj nga ju nuk është një sakrificë e vogël, por është me rëndësi të madhe. Shpresoj se do ta merrni në konsideratë.”, thuhet në letrën e Reinier de Graaf.
Rupi: Prandaj, meqë ai është një evropian dhe një arkitekt, unë besoj dhe e lexoj që ai është më ne, sepse që të bëhesh mbret, në radhë të parë, duhet të japësh dorëheqjen si kryeministër. Prandaj, dhe ne, dhe arkitekti, këtë duam. Jep dorëheqjen, shko në zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike dhe e shohim se sa mbret do të të bëjnë shqiptarët. Do e shohim ne dhe Evropa se sa i duam apo nuk i duan dhe i përzënë shqiptarët autokratët dhe nuk i pranojnë kurrë në këtë vend. Meqë keni vendosur të zhdukni demokracinë dhe të vendosni autokraci, dhe të bëheni edhe mbret, edhe ne nuk lodhemi më me zgjedhje. Prandaj, përpara Kryeministrisë, te shkallët kemi shtruar një tapet të florinjtë, siç mbretërit e meritojnë. Ne po kthehemi në skllevër, ti vazhdo mbretëro.
Vetëm një gjë, që ta bësh këtë, në radhë të parë jep dorëheqje, qeveri tranzitore, zgjedhje të ndershme, ndryshime të ligjeve, Kodit Zgjedhor dhe pastaj shohim se sa mbret do të të bëjnë shqiptarët dhe diaspora




