Hasan Ferracaku, i hetuar si një nga autorët e masakrës së Velipojës ku katër persona humbën jetën në qershor të vitit 2021, është arratisur nga banesa ku po vuante masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndonëse ruhej 24 orë në 24 nga policia.
Sipas Policisë së Shkodrës, mungesa e tij është konstatuar rreth orës 05:30 të mëngjesit në banesën në lagjen “Guerrile”, ku efektivët ishin caktuar për mbikëqyrjen e tij. Menjëherë pas zbulimit të arratisjes u organizuan kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera ku dyshohet se mund të jetë fshehur, ndërsa ai vijon të jetë në kërkim.
Ferracaku ndodhej në “arrest shtëpie” pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit. Me vendim gjykate ai mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore dhe prej rreth tre vitesh ruhej nga efektivët.
Ai mbeti i plagosur në përplasjen me armë të 26 qershorit 2021 në Velipojë, ku humbën jetën Kujtim Ferracaku, vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj, si edhe kamarieri 20-vjeçar Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës. Pas ngjarjes u arrestuan Hasan Ferracaku dhe nipi i tij, ndërsa në kërkim u shpallën edhe tre djemtë e tij.
Sipas hetimeve, konflikti mes familjeve Ferracaku dhe Gocaj nisi për ndarjen e një parcele shezlongësh në plazhin e Velipojës dhe më pas degjeneroi në përdorimin e armëve.
Njoftimi i plotë i Policisë
“Rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë të Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e shtetasit H. F., ndaj të cilit Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, në mbikëqyrje policore, pasi është në hetim për veprën penale “Vrasja me dashje”, kanë konstatuar se ky shtetas ishte larguar nga banesa.
Menjëherë pas konstatimit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë organizuar kontrolle në banesa dhe në ambiente të tjera, në të cilat dyshohet se mund të jetë fshehur ky shtetas.
Read more:“Kemi provën për burgosjen e Ramës”/ Protestuesit paralajmërojnë: Nesër në orën 10:00 në SPAK…
Grupi hetimor dhe AMP vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për gjetjen e shtetasit H. F.”
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




