Has – Babë e bir Rrustem Ukaj, 70 vjeç dhe Besmir Ukaj,34 vjeç kanë rënë në prangat e policisë për kultivim kanabisi, ndërkohë djali tjetër është shpalllur në kërkim. Në lidhje me këtë rast në gjendje të lirë do të hetohet kryeplaku i fshatit Vlahën, për shpërdorim detyre.
Parcela me kanabis (1874 bimë) u zbulua nga blutë në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen – ku një pjesë e tyre u asgjësuan me djegie.
Gjatë kontrolleve në banesën e tyre policia gjeti dhe sekuestroi municion luftarak dhe 5 m fitil zjarrpërcjellës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Qaf Prush, kanë vijuar me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e bashkisë Has, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen, u konstatuan të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.
Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan si autorë të dyshuar, shtetasit Rr. U ., 70 vjeç dhe B. U., 34 vjeç (babë dhe bir), banues në fshatin Vlahën, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i 70-vjeçarit, shtetasi A. U., 44 vjeç.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Rr. S., 58 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Vlahën, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Kukës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtrisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë




