Nga Der Spiegel
Dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, dëshiron të ndërtojë një hotel luksoz në Shqipëri – në mes të një zone të mbrojtur natyrore. Në projekt është e përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.
Kundër këtij projekti po zhvillohen protesta masive, përfshirë edhe në kryeqytetin, Tiranë. Demonstratat nisën në fund të muajit maj, pasi në një plazh brenda zonës së mbrojtur të Zvërnecit u shfaqën papritur rrethime me tela me gjemba dhe mjete të rënda ndërtimi.
Prej disa kohësh, protestat janë drejtuar edhe kundër qeverisë shqiptare. Demonstruesit denoncojnë korrupsionin në vend dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Motoja e tyre është: “Shqipëria nuk është në shitje.”
Tashmë për zhvillimet ka reaguar edhe këngëtarja me famë botërore Dua Lipa, prindërit e së cilës janë me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria.
Ajo tha se e konsideron këtë situatë “shqetësuese”, gjatë një bisede në podcast-in “Service95 Book Club” me politologen dhe filozofen Lea Ypi.
“Është frymëzuese të shohësh se sa shumë u intereson njerëzve kjo çështje”, u shpreh Dua Lipa, duke iu referuar lëvizjes protestuese. Sipas saj, ekonomia e vendit duhet të ndërtohet në mënyrë që “t’u shërbejë njerëzve”.
Sipas projektit, parashikohet gjithashtu transformimi i ishullit të pabanuar të Sazanit, dikur një bazë sekrete ushtarake e regjimit komunist, në një destinacion luksoz turistik.
Laguna e Vjosë-Nartës, në bregdetin jugor të Adriatikut, është një zonë e rëndësishme ndalese për shpendët shtegtarë dhe flamingot.




