Prej dy ditësh digjet masivi me pishë të zezë dhe bredh në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër. Ky është një nga operacionet me angazhimin më të madh: mbi 220 forca dhe 2 avionë Air Tractor. Era e fortë dhe terreni i thyer e vështirësojnë ndërhyrjen. Shqetësimi është shtuar nga afërsia e flakëve me disa banesa, ndaj zjarrfikësit kanë krijuar perimetrin e sigurisë në fshatin Gurë-Lurë.
Në Drenie të Patosit, zjarri është riaktivizuar dhe po punohet për shuarjen e flakëve. Veç 30 efektivëve, ka shkuar edhe një ambulancë në vendngjarje.
Në Krujë vijojnë operacionet në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Vatra në Abaze është izoluar dhe s’ka rrezik për zonat e banuar. Dy vatra janë shfaqur në lagjen Boje ku era po i favorizon flakët, por zjarrfikësit dhe helikopteri kanë ndërhyrë.
As vatrat në Dajt e Priskë si dhe ato në Nemërçkë e malin Dhëmbel në Përmet s’paraqesin rrezik. Në Dajt janë 22 forca zjarrfikëse mbi tunelet e Qafë-Mollës dhe 2 helikopterë.
Gjithashtu është izoluar vatra në “Lëndinën e Madhe”, mbi fshatin Sinicë në Devoll, por po mbahet në monitorim për çdo riaktivizim të mundshëm.
Në mbarë vendin janë 9 vatra aktive zjarresh për shuarjen e të cilave janë angazhuar 450 forca operacionale, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”
Lufta me flakët vazhdon në Lurë, Lamallari kërkon ndëshkim për zjarrvënësit: Ata që shkatërrojnë pasurinë kombëtare të përgjigjen sipas ligjit
“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, të procedohen penalisht dhe të vihen para drejtësisë.” Me këtë apel, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi për situatën e zjarreve në vend, duke kërkuar ndëshkimin sipas ligjit të kujtdo që shkatërron pasurinë kombëtare.
“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, proceduar dhe ndjekur penalisht me të gjithë vetëdijen e lartë qytetare dhe angazhimin maksimal profesional të çdo prokurori, për vënien përpara drejtësisë dhe ndëshkimin e ashpër sipas ligjit penal të çdokujt që shkatërron pasurinë kombëtare të shumë gjeneratave!” tha ai
Mesazhin e tij Lamallari e shoqëroi me pamje nga operacioni për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, ku prej disa ditësh vijon beteja intensive me flakët. Në video shihen avionët “Air Tractor”, helikopterët dhe qindra efektivë të angazhuar në terren.
Ministri tha se operacioni po zhvillohet njëkohësisht nga toka dhe ajri, ndërsa forcat e Shërbimit Zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile po punojnë pa ndërprerje, pavarësisht temperaturave të larta.
“Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe shpëtimin e Parkut Kombëtar të Lurës”, shkruan Lamallari.
Situata me zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 9 vatra zjarri aktive në vend, mbi 450 forca në terren dhe 5 mjete ajrore në operacion

9 vatra zjarri mbeten ende aktive në vend, ndërsa qindra forca në terren, të mbështetura nga helikopterë dhe avionë zjarrfikës, vijojnë operacionet për izolimin e flakëve. Situata më problematike mbetet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri po luftohet me angazhim të madh njerëzor dhe ndërhyrje nga ajri.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 14:00 të kësaj të mërkure, vatrat aktive ndodhen në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë. Në operacion janë angazhuar të paktën 260 forca operacionale dhe 192 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri po operojnë 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Gurë-Lurë vijon një nga operacionet më të mëdha, me mbi 220 forca nga MZSH, Forcat e Armatosura, Policia, bashkia, shërbimi pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe vullnetarë. Dy avionë “Air Tractor” po ndërhyjnë nga ajri, ndërsa zjarrfikësit janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Në Dajt operacionet vazhdojnë në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës dhe në Priskë të Madhe, pa rrezik për zonat e banuara. Në Drenie të Patosit po punohet për shuarjen e riaktivizimit të zjarrit, me mbështetjen edhe të 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Në Krujë vijon operacioni në lagjen Abaze, ndërsa në lagjen Bojë një helikopter i Forcës Ajrore po ndërhyn për mbrojtjen e banesave pranë dy vatrave të zjarrit.
Ndërkohë, në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel në Përmet zjarret vijojnë pa rrezikuar banesat, ndërsa në malin e Moravës në Devoll vatra është izoluar dhe po mbahet në monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në total mbi 450 forca janë të angazhuara vetëm në vatrat për të cilat raportohen shifra të plota, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe vënia nën kontroll e të gjitha vatrave aktive.
Vatër e re në lagjen Boje në Krujë, era favorizon flakët! Ndërhyn edhe helikopteri (VIDEO)
Një tjetër zjarr është ndezur pranë lagjes Boje në Krujë, ku flakët po përhapen për shkak të erës. Deri më tani nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa zjarrfikësit dhe një helikopterë po punojnë për shuarjen.
Paraprakisht dyshohet që zjarri mund të jetë i qëllimshëm.
Përhapet zjarri në Drenie, kërkohet ndërhyrje nga ajri (VIDEO)
Vatra e zjarrit në masivin pyjor të Drenies vijon të jetë aktive edhe gjatë ditës së sotme. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri ditën e djeshme, vatra e zjarrit u riaktizua në mesnatë ku flakët iu afruan edhe banesave, por fatmirësisht ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse dhe forcave të ushtrisë shmangu rrezikun.
Zjarri aktualisht ka marrë përhapje të gjerë dhe po mbahet në monitorim nga forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit të cilët po punojnë në terrenin e vështirë kodrinor për neutralizimin e flakëve.
Ndërkohë sipas informacioneve nga prefektura Fier është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri.
Tym dhe flakë në Lurë, 220 forca dhe dy avionë në betejë me zjarrin, Nufi bën përditësimin e situatës: Prioritet mbrojtja e banesave (VIDEO)
Shtëllunga tymi, avionë zjarrfikës që lëshojnë masivin e ujit mbi pyjet në flakë dhe forca të paepura në terren, kjo është panorama që tregon videoja e publikuar nga ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi këtë të mërkurë, përmes së cilës jep edhe një përditësim të situatës me zjarrin në Parkun Kombëtar të Lurës ku janë angazhuar rreth 220 forca dhe 2 avionë zjarrfikës
“Vijon me intensitet të lartë operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën Runjë, mbi fshatin Borie Lurë. Të gjitha strukturat janë të angazhuara dhe po punojnë në koordinim të plotë, nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së zjarrit. Në operacion janë angazhuar rreth 220 forca dhe efektivë, mes tyre MZSH, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, ADZM, shërbimi pyjor, strukturat bashkiake, vullnetarë, AKMC dhe Prefektura e Qarkut Dibër. Nga ajri po operojnë 2 avionë “Air Tractor”, të përqendruar në vatrat më problematike. Angazhimi maksimal vijon deri në vënien plotësisht nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës” shkruan Nufi
Nufi: Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot komponent i rëndësishëm i Forcave të Armatosura! Mbështesin koordinimin në terren (VIDEO)
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi në një postim në rrjetet sociale ka vënë në dukje rëndësinë e përdorimit të mjeteve ajrore pa pilot, teksa vendi po përballet me disa vatra zjarresh.
Nufi thekson se këto mjete ajrore pa pilot janë një komponent të rëndësishëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
Ai shton se të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse.
“Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot përbën një komponent të rëndësishëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura në mbështetje të operacioneve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore kryen misione monitorimi ditën dhe natën, duke transmetuar në kohë reale informacion mbi vatrat e zjarrit, përhapjen e flakëve dhe lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në të gjithë zonat e operacioneve.
Të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse”,shkruan Nufi.
Devoll/ Shuhet vatra në ‘Lëndinën e Madhe’ në Sinicë (VIDEO)
Situata e zjarrit në zonën “Lëndina e Madhe”, mbi fshatin Sinicë, paraqitet e normalizuar. Flakët janë fikur dhe aktualisht nuk raportohet për përhapje të mëtejshme të zjarrit në sipërfaqen pyjore. Forcat zjarrfikëse vijojnë të mbajnë nën monitorim zonën, për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave të zjarrit.
Në terren ndodhen 11 forca zjarrfikëse me 2 mjete, si dhe 7 punonjës të shërbimit pyjor, të cilët po monitorojnë situatën dhe po kontrollojnë zonën e prekur nga zjarri.
Zjarri në Gurë-Lurë të Dibrës, dy helikopterë dhe 2 avionë ‘Air Tractor’ në aksion për shuarjen (VIDEO)
Në zonën e Gurë-Lurës në Dibër, vatra e zjarrit vijon të jetë ende aktive. Zjarri gjatë natës ka avancuar duke përfshirë zonën e quajtur Gjagjisht duke avancuar drejt pllajave të Lanë Lurës.
Ditën e sotme kanë mbërritur edhe 40 forca ushtarake në mbështetje të shërbimit zjarrfikës. Ndërkohë dy helikopterë dhe 2 avionë ‘Air Tractor’ po punojnë për shuarjen.
Vijon zjarri në Abaze të Krujës, 2 helikopterë po punojnë për shuarjen (VIDEO)
Vatra e zjarrit mbi lagjen Abaze në Krujë, në afërsi të vendit të quajtur Kroi i Madh vijon të jetë ende aktive.
Dy helikopterë, forcat zjarrfikëse dhe banorë të zonës po punojnë për shuarjen e tij.
Edhe pse prej 5 ditësh në këtë zonë është punuar me të gjitha mjetet, nga ajri e nga toka dhe disa herë është menduar se zjarri është fikur totalisht, trashësia e humusit në këtë zonë është mjaft e madhe, duke ruajtur brenda prush.
Xh.K/R.Xh/Shqiptarja.com





LAJMET MË TË VLERËSUARA