Mbi 530 forca operacionale dhe efektivë të ushtrisë, 3 helikopterë dhe dy avionë Air Tractor, janë angazhuar këtë të mërkurë në gjashtë zona të ndryshme të vendit, për t’u përballuar me 10 vatra aktive zjarri.
Situata më problematike duket në Lurë ku rrezikohen banesat dhe Krujë ku familjet kanë larguar të moshuarit e fëmijët. Edhe Tirana është rrethuar nga disa vatra zjarri në fshatrat përreth.
3 vatra zjarri kanë përfshirë kurorën e gjelbër të Tiranës, vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. Në orët e pasdites një zjarr i përmasave të mëdha është përhapur në fshatin Daias mes Lundrës e Priskës, ndërsa nga pamjet e siguruara nga Report Tv, edhe me dron, duket se vatra është serioze dhe vijon të intensifikohet.
Edhe jeta e zjarrfikësve ka qenë në rrezik nga lufta me flakët. Në operacionin për shuarjen e flakëve punuan edhe dy helikopterë, një Coguar dhe Black Hawk, të cilët në mbrëmje ndërprenë operacionin. Mësohet se era po i shtyn flakët drejt fshatit Gurrë e Vogël, ndërkohë që në rrezik janë edhe banesat.
Ndërkohë mbi tunelet e Qafë-Mollës, 22 forca të mbështetura nga dy helikopterë të Forcës Ajrore, një Coguar dhe Black Hawk u angazhuan gjatë ditës së sotme për të mbajtur në kontroll një vatër zjarri.
Ndërsa një tjetër u regjistrua në Priskë të Madhe ku janë angazhuar 15 efektivë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Krujë e cila këto ditë ka vuajtur më së shumti nga zjarret, 4 vatra janë evidentuar përgjatë gjithë ditës. Në lagjen Bojë të Krujës, zjarrfikësit u vendosën pranë banesave, ndërsa ndërhyrja u mbështet nga një helikopter. Në lagjen Abaze flakët u mbajtën në kontroll, pa asnjë rrezik për zonat e banuara, megjithatë falmijet larguan fëmijët dhe të moshuarit.
Një tjetër vatër u regjistrua në vendgrumbullimin e mbeturinave në Krastë. Ndërsa në Nikël, mbi njësinë administrative, u dogj një sipërfaqe me ferra e shkurre.
Prej dy ditësh, zjarri vijon të djegë masivin me pishë të zezë dhe bredh në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër.
Gjatë natës të martës, flakët kanë avancuar drejt zonës së banuar në Gurë-Lurë, duke rritur rrezikun për banesat.
Mbi 220 forca janë angazhuar në terren, ndërsa nga ajri operojnë dy avionë Air Tractor. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave të rrezikuara.
Në Drenie të Patosit po ashtu vatra e zjarrit u riaktivizua në mesnatë, duke marrë gjatë ditës një shtrirje të gjerë, në një zonë kodrinore ku dhe ndërhyrja nga toka mbetet e vështirë.
Zjarret në Shqipëri, reagon Presidenti Begaj: Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për situatën e zjarreve në vend, ku gjatë mbrëmjes së sotme flakët kanë shkaktuar problematika të shumta në disa zona të vendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj ka kërkuar ndëshkim të ashpër për zjarrvënësit dhe u bëri apel qytetarëve për kujdes dhe solidaritet.
Begaj gjithashtu falënderoi forcat zjarrfikëse dhe ato të Forcave të Armatosura që po punojnë për shuarjen e flakëve.
Reagimi i Begajt:
Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë.
Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona.
Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë.
Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit.
Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën.
Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve.
Tiranë/ Pamje ‘apokaliptike’ mes Lundrës e Priskës, zjarri ‘përpin’ sipërfaqe të mëdha me bimësi e pemë! Në rrezik edhe banesat (VIDEO)
Zjarri në Daias, mes Lundrës e Priskës në Tiranë ka zgjeruar perimetër gjatë orëve të mbrëmjes, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me pemë e bimësi.
Burime nga banorët e zonës për Report Tv bëjnë me dije se flakët kanë rrezikuar edhe banesat e zonës, disa prej të cilave raportohet se janë djegur (por ky informacion është ende i pakonfirmuar). Ndërkohë era po i shtyn flakët drejt fshatit Gurrë e Vogël.
Zjarri pranë Lundrës merr përmasa të mëdha, flakët duken edhe nga Tirana! Report Tv siguron pamjet

Report Tv ka siguruar pamje të kapura nga Tirana, të zjarrit që ka rënë në Daias, pranë Lundrës.
Flakët janë të përmasave aq të mëdha, sa mund të shihen lehtësisht nga syri i njeriut edhe nga qendra e kryeqytetit, nga një objekt i lartë.
Forcat zjarrfikëse, të ndihmuara nga 2 helikopterë vijojnë luftën me flakët, për të bërë të mundur neutralizimin e vatrës së zjarrit.
Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: 10 vatra zjarri aktive! Në Gurë-Lurë të Dibrës po punohet me 2 avionë Air Tractor për shuarjen e flakëve

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.
Përmes një njoftimi, ‘Mbrojtja’ thekson se në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit, 31 vullnetarë dhe 6 përfaqësues të AKMC-së dhe Emergjencave Civile. Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Dajt vijon puna me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 15 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga 2 helikopterë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie, bashkia Patos, operacioni vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake.
Në Krujë vijon angazhimi në disa vatra. Në Abaze operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, njëra vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për vatrën në terren të vështirë është angazhuar 1 helikopter i FA-së dhe pranë banesave janë pozicionuar 3 automjete zjarrfikëse. Në Krastë–Halil vijon puna pa rrezik aktual për zonat e banuara.
Në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, bashkia Përmet, vijon puna në terren të vështirë malor. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e MZSH-së, Policisë së Shtetit, forcave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor, vullnetarëve, AKMC-së, 50 efektivëve të FA-së dhe 2 avionëve Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.
Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon puna e forcave operacionale në zonën e mbrojtur me pyll pishe, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të mbrojtjes civile, duke vlerësuar në kohë reale zhvillimin e vatrave dhe nevojën për përforcim të kapaciteteve tokësore dhe ajrore.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se angazhimi do të vijojë deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të çdo vatre aktive.
Era e fortë përhap zjarrin drejt banesave në Krujë, banorët largojnë fëmijët dhe të moshuarit, presin pemët për t’i penguar flakët (VIDEO)
Situata në Krujë raportohet e nderë teksa banorët e lagjes abaze, banorët e së cilës ndodhen më pranë njërës prej vatrave të zjarrit, po marrin masa të largojnë fëmijët, të moshuarit dhe sendet me vlerë. Era po fryn me intensitet në zonë, çka përbën një faktor nxitës për përhapjen e flakëve. Banorët po presin pemë për të penguar përhapjen e flakëve.
Era e fortë favorizon zjarret në Krujë, tre vatra aktive! Ndërhyrje me mjete dhe njerëz nga toka (VIDEO)
Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Krujë, në lagjet Abaze dhe Boje, si dhe në vendgrumbullimin e mbeturinave në Kameras.
Në lagjen Abaze, zjarri vijon në zonën e Kroit të Madh. Atje, banorët kanë nisur të marrin masa duke larguar fëmijët, të moshuarit dhe sendet me vlerë. Helikopterët janë larguar, ndërsa situata nuk duket e mirë për shkak të erës së fortë që po favorizon përhapjen e zjarrit gjatë natës.
Situatë e njëjtë është edhe në lagjen Boje, ku zjarri vijon të jetë aktiv.
Ndërkohë, është riaktivizuar vatra në vendgrumbullimin e mbeturinave në Kameras.
Në të tria vatrat po ndërhyhet nga toka me mjete dhe njerëz ndërkohë që era fryn me intensitet.
Zjarr në një fshat të Pukës, shmanget rreziku për banesat! Digjen 5 dynym sipërfaqe dhe pemë frutore (VIDEO)
Një tjetër vatër zjarri ka rrezikuar pasditen e kësaj të mërkure banesat në fshatin Rras Kuzhnen, në njësinë administrative Gjegjan të Bashkisë Pukë.
Zjarri, i cili dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia, nisi në sipërfaqen pyjore dhe më pas u përhap në tokat bujqësore të fshatit, duke rrezikuar edhe banesat.
Shërbimi zjarrfikës, ndonëse ndodhej në një distancë prej rreth 60 kilometrash, mbërriti në zonë dhe bëri të mundur kufizimin e zjarrit.
Aktualisht rreziku për banesat është shmangur, ndërsa vatra po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin.
Si pasojë e zjarrit janë përshkuar rreth 5 dynym sipërfaqe, ndërsa janë djegur edhe pemë frutore brenda fshatit.
Kurora e Tiranës në flakë, Taulant Balla: Nuk janë nga Zoti, por nga robi! Zjarrvënia dënohet deri në 15 vite burg!

Pas zjarrit të madh që përfshiu pasditen e së mërkurës zonën e Daiasit, në Tiranë, ku në operacion u angazhuan edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore për të ndihmuar në vënien nën kontroll të flakëve, në mbrëmje ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, iu përgjigj në rrjete sociale kritikave për angazhimin e mjeteve ajrore, duke sqaruar ndjekësit se të gjitha strukturat janë në terren, ajër dhe tokë, për përballimin e vatrave, dhe duke bërë thirrje në të njëjtën kohë që zjarrvënësit të mbajnë përgjegjësi penale.
“Ku janë avionët? Ku janë avionët? Në terren janë avionë, helikopterë, makina të reja dhe të vjetra zjarrfikëse, zjarrfikës e forca të armatosura. Vetëm në kurorën e Tiranës janë aktualisht katër vatra zjarri: Priskë, Daias, Surrel, Gurrë. Nuk janë zjarre nga Zoti, po nga robi. Ndezje të qëllimshme. Ata që ndezin zjarre duhet ta dinë se zjarrvënia është vepër e rëndë penale dhe dënohet deri në 15 vite burg!” shkruan ai
Pasditen e së mërkurës, zjarri në Daias u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke vështirësuar punën e forcave zjarrfikëse dhe duke rrezikuar në disa momente edhe efektivët në terren. Në operacion janë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Gjirokastër/ Vatra e zjarrit në malin e Nemërçkës mbetet aktive, nuk ka rrezik për zonat e banuara, Forcat e Armatosura në terren
Vatra e zjarrit në malin e Nemërçkës ne kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë është aktive, por aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Sipas korrespondentëve të Report TV, në terren po punojnë forcat e zjarrfikëses, bashkia dhe dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura për izolimin e flakëve
‘O Sokol, hipi makinës dhe ik’- Zjarri në Tiranë i rrezikon jetën zjarrfikësit, momenti kur kolegu e paralajmëron për afrimin e flakëve (VIDEO)
Zjarri në Daias të Tiranës ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar seriozisht edhe jetët e zjarrfikësve që po përballen me flakët.
Nga pamjet e siguruara shumë pranë zjarrit nga Report Tv, duket një moment kur flakët zgjerojnë perimetrin dhe ndryshojnë drejtimin, duke u favorizuar nga era e fortë.
Kjo ka bërë që të rrezikohej jeta e një zjarrfikësi, që po punonte aty për shuarjen e flakëve. Në rrezik ishin edhe 2 automjete të forcave zjarrfikëse, që ishin stacionuar shumë pranë zjarrit.
“O Sokol, hipi makinës dhe ik o Sokol”, dëgjohet t’i drejtohet njëri prej zjarrfikësve kolegut të tij, duke e paralajmëruar për rrezikun, pasi zjarri zgjeroi perimetër për shkak të erës së fortë.
Ndërkohë në ‘luftën’ me flakët, veç forcave zjarrfikëse dhe autobotëve, janë angazhuar edhe dy helikopter, një Coguar dhe Black Hawk, të cilët po punojnë nga ajri për shuarjen e zjarrit.
Krujë/ Zjarri në lagjen Abaze, nuk ka evakuim të banorëve! Helikopteri dhe forcat në terren vijojnë operacionin
Nuk ka evakuim të banorëve në lagjen Abaze të Krujës, pavarësisht zjarrit që vijon në zonë. Sipas informacioneve më të fundit nga burimet e Report TV në terren, aktualisht nuk ka rrezik për banesat, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vazhdon si nga ajri, ashtu edhe nga toka.
Në zonë po operon një helikopter, i mbështetur nga forcat në terren. Sipas burimeve, strukturat vendore kanë kërkuar angazhim të shtuar të mjeteve ajrore dhe forcave të tjera, si masë paraprake për shkak të situatës, por nuk është urdhëruar evakuimi i banorëve.
Ndërkohë, disa banorë po ndihmojnë forcat në terren me mjete rrethanore, ndërsa në lagjen Bojë zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për të shuar flakët.
Era po favorizon përhapjen e zjarrit në të dyja lagjet, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave në terren.
Zjarr në Përlat të Mirditës, flakët rrezikojnë banesat dhe shkollën e fshatit
Një situatë e vështirë raportohet në zonën e Përlatit ne Mirdite, ku një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe të zonës pas përplasjes së telave të energjisë elektrike, të shkaktuar nga era e fortë.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga kushtet e motit. Në terren po punohet për vënien nën kontroll të zjarrit dhe për mbrojtjen e banesave, ndërsa rrezik paraqitet edhe për shkollën e fshatit.
Banorët e zonës janë angazhuar në ndihmë të forcave në terren për përballimin e situatës.
Tiranë/ Zjarr i përmasave të mëdha në Daias, tymi mbulon gjithë zonën! Forcat zjarrfikëse dhe 2 helikopterë në terren për shuarjen e flakëve (PAMJE ME DRON)
Një zjarr i përmasave të mëdha është përhapur rreth orës 18:00 në Daias, në Tiranë.
Report Tv ka siguruar pamjet, ku duket se tymi ka mbuluar gjithë zonën dhe është i dukshëm nga distanca të largëta.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca zjarrfikëse, të cilat po punojnë për ta vënë nën kontroll flakët, bashkë me dy helikopterë të Forcës Ajrore, një Coguar dhe Black Hawk.
Përhapja e flakëve ka qenë aq e shpejtë, duke u favorizuar nga era e fortë, sa në një moment ka rrezikuar edhe jetët e zjarrfikësve që ndodheshin aty për të shuar flakët.
Ndërkohë raportohet se nuk ka probleme për banesat, pasi zona e përfshirë nga flakët është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre.
Pranë zonës ku ka rënë zjarri, janë aktive edhe dy vatra të tjera zjarri, në Dajt e Priskë, të cilat fatmirësisht janë nën kontroll.
Në Dajt janë 22 forca zjarrfikëse mbi tunelet e Qafë-Mollës dhe 2 helikopterë që po punojnë për shuarjen e flakëve. Nuk dihet nëse helikopterët që kanë shkuar në Daias për shuarjen e flakëve, kanë qenë të njëjtët që po operonin më herët në Dajt.
Lajm për përditësim…
Lufta me flakët vazhdon në Lurë, Lamallari kërkon ndëshkim për zjarrvënësit: Ata që shkatërrojnë pasurinë kombëtare të përgjigjen sipas ligjit
“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, të procedohen penalisht dhe të vihen para drejtësisë.” Me këtë apel, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi për situatën e zjarreve në vend, duke kërkuar ndëshkimin sipas ligjit të kujtdo që shkatërron pasurinë kombëtare.
“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, proceduar dhe ndjekur penalisht me të gjithë vetëdijen e lartë qytetare dhe angazhimin maksimal profesional të çdo prokurori, për vënien përpara drejtësisë dhe ndëshkimin e ashpër sipas ligjit penal të çdokujt që shkatërron pasurinë kombëtare të shumë gjeneratave!” tha ai
Mesazhin e tij Lamallari e shoqëroi me pamje nga operacioni për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, ku prej disa ditësh vijon beteja intensive me flakët. Në video shihen avionët “Air Tractor”, helikopterët dhe qindra efektivë të angazhuar në terren.
Ministri tha se operacioni po zhvillohet njëkohësisht nga toka dhe ajri, ndërsa forcat e Shërbimit Zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile po punojnë pa ndërprerje, pavarësisht temperaturave të larta.
“Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe shpëtimin e Parkut Kombëtar të Lurës”, shkruan Lamallari.
Situata me zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 9 vatra zjarri aktive në vend, mbi 450 forca në terren dhe 5 mjete ajrore në operacion

9 vatra zjarri mbeten ende aktive në vend, ndërsa qindra forca në terren, të mbështetura nga helikopterë dhe avionë zjarrfikës, vijojnë operacionet për izolimin e flakëve. Situata më problematike mbetet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri po luftohet me angazhim të madh njerëzor dhe ndërhyrje nga ajri.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 14:00 të kësaj të mërkure, vatrat aktive ndodhen në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë. Në operacion janë angazhuar të paktën 260 forca operacionale dhe 192 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa nga ajri po operojnë 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Gurë-Lurë vijon një nga operacionet më të mëdha, me mbi 220 forca nga MZSH, Forcat e Armatosura, Policia, bashkia, shërbimi pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe vullnetarë. Dy avionë “Air Tractor” po ndërhyjnë nga ajri, ndërsa zjarrfikësit janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Në Dajt operacionet vazhdojnë në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës dhe në Priskë të Madhe, pa rrezik për zonat e banuara. Në Drenie të Patosit po punohet për shuarjen e riaktivizimit të zjarrit, me mbështetjen edhe të 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Në Krujë vijon operacioni në lagjen Abaze, ndërsa në lagjen Bojë një helikopter i Forcës Ajrore po ndërhyn për mbrojtjen e banesave pranë dy vatrave të zjarrit.
Ndërkohë, në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel në Përmet zjarret vijojnë pa rrezikuar banesat, ndërsa në malin e Moravës në Devoll vatra është izoluar dhe po mbahet në monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në total mbi 450 forca janë të angazhuara vetëm në vatrat për të cilat raportohen shifra të plota, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe vënia nën kontroll e të gjitha vatrave aktive.
Vatër e re në lagjen Boje në Krujë, era favorizon flakët! Ndërhyn edhe helikopteri (VIDEO)
Një tjetër zjarr është ndezur pranë lagjes Boje në Krujë, ku flakët po përhapen për shkak të erës. Deri më tani nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa zjarrfikësit dhe një helikopterë po punojnë për shuarjen.
Paraprakisht dyshohet që zjarri mund të jetë i qëllimshëm.
Përhapet zjarri në Drenie, kërkohet ndërhyrje nga ajri (VIDEO)
Vatra e zjarrit në masivin pyjor të Drenies vijon të jetë aktive edhe gjatë ditës së sotme. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri ditën e djeshme, vatra e zjarrit u riaktizua në mesnatë ku flakët iu afruan edhe banesave, por fatmirësisht ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse dhe forcave të ushtrisë shmangu rrezikun.
Zjarri aktualisht ka marrë përhapje të gjerë dhe po mbahet në monitorim nga forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit të cilët po punojnë në terrenin e vështirë kodrinor për neutralizimin e flakëve.
Ndërkohë sipas informacioneve nga prefektura Fier është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri.
Tym dhe flakë në Lurë, 220 forca dhe dy avionë në betejë me zjarrin, Nufi bën përditësimin e situatës: Prioritet mbrojtja e banesave (VIDEO)
Shtëllunga tymi, avionë zjarrfikës që lëshojnë masivin e ujit mbi pyjet në flakë dhe forca të paepura në terren, kjo është panorama që tregon videoja e publikuar nga ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi këtë të mërkurë, përmes së cilës jep edhe një përditësim të situatës me zjarrin në Parkun Kombëtar të Lurës ku janë angazhuar rreth 220 forca dhe 2 avionë zjarrfikës
“Vijon me intensitet të lartë operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën Runjë, mbi fshatin Borie Lurë. Të gjitha strukturat janë të angazhuara dhe po punojnë në koordinim të plotë, nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së zjarrit. Në operacion janë angazhuar rreth 220 forca dhe efektivë, mes tyre MZSH, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, ADZM, shërbimi pyjor, strukturat bashkiake, vullnetarë, AKMC dhe Prefektura e Qarkut Dibër. Nga ajri po operojnë 2 avionë “Air Tractor”, të përqendruar në vatrat më problematike. Angazhimi maksimal vijon deri në vënien plotësisht nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës” shkruan Nufi
Nufi: Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot komponent i rëndësishëm i Forcave të Armatosura! Mbështesin koordinimin në terren (VIDEO)
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi në një postim në rrjetet sociale ka vënë në dukje rëndësinë e përdorimit të mjeteve ajrore pa pilot, teksa vendi po përballet me disa vatra zjarresh.
Nufi thekson se këto mjete ajrore pa pilot janë një komponent të rëndësishëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
Ai shton se të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse.
“Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot përbën një komponent të rëndësishëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura në mbështetje të operacioneve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore kryen misione monitorimi ditën dhe natën, duke transmetuar në kohë reale informacion mbi vatrat e zjarrit, përhapjen e flakëve dhe lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në të gjithë zonat e operacioneve.
Të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse”,shkruan Nufi.
Devoll/ Shuhet vatra në ‘Lëndinën e Madhe’ në Sinicë (VIDEO)
Situata e zjarrit në zonën “Lëndina e Madhe”, mbi fshatin Sinicë, paraqitet e normalizuar. Flakët janë fikur dhe aktualisht nuk raportohet për përhapje të mëtejshme të zjarrit në sipërfaqen pyjore. Forcat zjarrfikëse vijojnë të mbajnë nën monitorim zonën, për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave të zjarrit.
Në terren ndodhen 11 forca zjarrfikëse me 2 mjete, si dhe 7 punonjës të shërbimit pyjor, të cilët po monitorojnë situatën dhe po kontrollojnë zonën e prekur nga zjarri.
Zjarri në Gurë-Lurë të Dibrës, dy helikopterë dhe 2 avionë ‘Air Tractor’ në aksion për shuarjen (VIDEO)
Në zonën e Gurë-Lurës në Dibër, vatra e zjarrit vijon të jetë ende aktive. Zjarri gjatë natës ka avancuar duke përfshirë zonën e quajtur Gjagjisht duke avancuar drejt pllajave të Lanë Lurës.
Ditën e sotme kanë mbërritur edhe 40 forca ushtarake në mbështetje të shërbimit zjarrfikës. Ndërkohë dy helikopterë dhe 2 avionë ‘Air Tractor’ po punojnë për shuarjen.
Vijon zjarri në Abaze të Krujës, 2 helikopterë po punojnë për shuarjen (VIDEO)
Vatra e zjarrit mbi lagjen Abaze në Krujë, në afërsi të vendit të quajtur Kroi i Madh vijon të jetë ende aktive.
Dy helikopterë, forcat zjarrfikëse dhe banorë të zonës po punojnë për shuarjen e tij.
Edhe pse prej 5 ditësh në këtë zonë është punuar me të gjitha mjetet, nga ajri e nga toka dhe disa herë është menduar se zjarri është fikur totalisht, trashësia e humusit në këtë zonë është mjaft e madhe, duke ruajtur brenda prush.
Xh.K/E.H/Shqiptarja.com





LAJMET MË TË VLERËSUARA