Deputeti i PD-së, Klevis Balliu ka reaguar sërish për aferën korruptive të skemës KAYO.
Sipas tij, kjo shoqëri ka marrë 31 milionë euro nga thesarin, ndërsa kjo është një çështje e sigurisë kombëtare.
Reagimi i deputetit të PD, Klevis Balliu:
Afro 3.5 milionë euro në muaj dalin nga taksat e shqiptarëve përmes skemës KAYO. Deri më sot rezultojnë rreth 31 milionë euro të paguara.
Kjo nuk është thjesht një çështje financiare. Kur bëhet fjalë për kontrata që lidhen me mbrojtjen dhe kapacitetet e Forcave të Armatosura, çdo dyshim për abuzim me fondet publike merr një dimension shumë më të rëndë: është çështje e sigurisë kombëtare.
Vetëm rreth tre ditë më parë, nga Thesari i Shtetit janë kaluar 3.6 milionë euro për automjete teknike transporti për Repartin Ushtarak 4001. Për këtë kontratë është përzgjedhur sërish Timak Defence, kompani e lidhur me këtë skemë.
Dhe kjo nuk është një pagesë e izoluar. Për rreth 10 muaj, pagesat ndaj kësaj kompanie kanë vijuar me rreth 3 milionë euro në muaj ose edhe më shumë. Deri më sot, pagesat rezultojnë rreth 31 milionë euro.
Kjo aferë është denoncuar vazhdimisht nga opozita dhe media investigative. Por ndërsa miliona euro dalin nga Thesari, SPAK vazhdon të heshtë.
Këtu kërkohet një hetim urgjent dhe i plotë mbi kontratat, procedurat, përfituesit dhe çdo lidhje të mundshme politike apo ekonomike. SPAK duhet të verifikojë edhe përgjegjësitë e mundshme të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Ron Yefetit, Arjeta Pucës dhe çdo personi tjetër që rezulton i përfshirë nga provat.
Askush nuk është fajtor pa vendim gjykate, por askush nuk duhet të jetë mbi hetimin.
31 milionë euro kërkojnë përgjigje, jo heshtje. Dhe kur paratë lidhen me mbrojtjen e vendit, transparenca nuk është zgjedhje: është detyrim i sigurisë kombëtare.




