Një nënë me fëmijën ende brenda barkut të saj humbi jetën mëngjesin e sotëm teksa dërgohej me urgjencë nga spitali i Pogradecit drejt Tiranës.
37-vjeçarja, e cila ishte 7-muajshe shtatzënë, në pritje të fëmijës së saj të parë, kishte pësuar kriza në bark gjatë mesnatës të së dielës.
Me të mbërritur në maternitet, mjekët kuptuan menjëherë se gjendja ishte kritike: parametra të ulët jetësorë dhe e pamundur të transportohej pa u stabilizuar. Dyshimet e para ishin për hemorragji të brendshme dhe sapo ia dolën ta reanimonin, rreth orës 04:30 të mëngjesit, e nisën drejt Tiranës.
37-vjeçarja nga Mirdita s’mundi t’i mbijetonte udhëtimit. Në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj u përkeqësua, kishte të vjella dhe infermierja urdhëroi që ambulanca t’i drejtohej menjëherë spitalit të qytetit, aty ku gruaja edhe ndërroi jetë.
Motra e saj pretendon se 37-vjeçarja mbërriti e vdekur në spital, ndërsa trupi ndodhet në morgun e Tiranës. Tanimë ajo i është drejtuar komisariatit për të bërë një kallëzim.
Sipas detajeve që Report Tv mëson për 37-vjeçaren, ajo priste të largohej drejt SHBA-ve për herë të parë, për t’u bashkuar me të shoqin dhe familjen e tij.
7-muajshe shtatzënë, detajet për vdekjen e 37-vjeçares nga Pogradeci: Fute te spitali i Elbasanit se na iku
37-vjeçarja shtatzënë që humbi jetën teksa dërgohej nga spitali i Pogradecit drejt Tiranës priste fëmijën e saj të parë, mëson Report Tv. Gruaja nga Mirdita, e martuar në Pogradec, ishte në muajin e 7-të të shtatzënisë. I shoqi kishte pak ditë që ishte larguar drejt SHBA-ve, ku ai dhe familja e tij jetojnë, ndërsa 37-vjeçarja priste që t’u bashkohej atje. Për të do të ishte hera e parë në SHBA.
Mesnatën e së dielës, 37-vjeçarja kishte dhimbje barku. Ajo ka telefonuar motrën që banonte pranë saj, e cila menjëherë ka shkuar dhe e ka marrë me makinë për ta dërguar në spital.
Atje mjekët kanë dyshuar për hemorragji dhe pasi e kanë vendosur në katin e sipërm të maternitetit, kanë konstatuar se duhej dërguar në Tiranë. Është diskutuar edhe helikopteri por duke qenë se ka qenë errësirë, s’mund të realizohej.
Sipas informacioneve të para, 37-vjeçarja është paraqitur me parametra jetësorë të ulët, në gjendje të patransportueshme, ndërsa më pas është kryer edhe reanimimi.
Në orën 04:30 e kanë nisur me ambulancë për Tiranë. Në hyrje të Elbasanit ajo ka ndaluar së reaguari dhe infermierja i ka rënë xhamit të shoferit duke i thënë “Fute te spitali i Elbasanit se na iku.”
Motra e 37-vjeçares ka qenë e pranishme edhe në ambulancë dhe thotë se 37-vjeçarja mbërriti e vdekur në spital. Më pas e dërguan për autopsi në morgun e Tiranës, kurse motra e së ndjerës ka shkuar në komisariatin nr. 4 për të bërë një kallëzim.




