Lufta/ Trump: Marrëveshja me Teheranin firmoset nesër, ose bombardimet do të fillojnë përsëri! NYT: Delegacioni iranian me Ghalibaf të martën në Islamabad

Published:

Pas sinjaleve refuzuese gjatë paradites së kësaj të hëne, Irani duket është i gatshëm të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara. Këtë e bënë të ditur dy zyrtarë të Pakistanit, sipas të cilëve autoritetet iraniane kanë shprehur synimin për të dërguar një delegacion për një cikël të dytë bisedimesh në Islamabad. Burime nga mediat e huaja kanë mësuar se delegacioni iranian me në krye kryeparlamentarin Mohammad Bagher Ghalibaf do të shkojë nesër në Islamabad.

Edhe Presidenti Donald Trump shprehet optimist për negociatat me Iranin dhe thotë se një marrëveshje me Teheranin zyrtar do të firmoset nesër në Pakistan. Megjithatë, Presidenti shtoi se nëse nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, Shtetet e Bashkuara do të hedhin në erë të gjitha termocentralet në Iran dhe shumë më tepër, citon Fox Neës.

Trump foli më herët edhe për Neë York Post, ku tha se për pak orë zv.Presidenti JD Vance do të mbërrijë në Islamabad për raundin e dytë të negociatave. Më pak se 48 orë nga përfundimi i armëpushimit, Trump tha për median njujorkeze se në këtë pikë askush nuk po bën lojëra me negociatat duke përshkruar seriozitetin e procesit.

“Bisedimet duhet të zhvillohen. Supozoj se në këtë pikë askush nuk po bën lojëra”, tha ai.

Burime që kanë informacione në lidhje me negociatat thanë se Pakistani nuk do të bëjë publike detajet mbi planet e udhëtimit të të dyja palëve për arsye sigurie dhe u bënë thirrje mediave të shmangin spekulimet mbi kohën e zhvillimit të bisedimeve, duke theksuar se procesi mbetet në zhvillim.

Pakistani negociator ndërkohë, pas takimeve të fundjavës në Iran dhe rajon u ka transmetuar SHBA-ve se bllokada detare për portet iraniane përbën një problem që pengon negociatat. Ky pretendim është mohuar nga Trump

Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli ende nuk e ka “mbaruar punën e tij” në Iran. Deklarata e tij bie ndesh me bisedimet që po zhvillohen për një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme. Megjithëse Netanyahu nuk e theksoi fiks se çfarë nënkuptonte me deklaratën e tij, kjo lë të kuptohet se Izraeli do të vijojë sulmet në Iran, pavarësisht nëse SHBA dhe Teherani arrijnë një marrëveshje.

Lajmi në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 22:18

Trump i drejtohet publikisht Papës: Pse ju duket e arsyeshme që Irani të ketë armë bërthamore dhe të vrasë 42 mijë protestues?

1776416169_1776059361trumppapa2.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka replikuar sërish në distancë me Papa Leone XIV, lidhur me luftën në Iran.

Për New York Post, Presidenti amerikan tha se i kishte thënë Papës se Irani nuk duhet të kishte kurrësesi armë bërthamore, pasi sipas tij, miliona njerëz në mbarë botën do të vdisnin.

“Me Iranin, kjo është një nga luftërat më të rëndësishme. I thashë Papës se Iranit nuk mund t’i lejohet të ketë një armë bërthamore sepse ata do ta përdorin atë dhe miliona njerëz do të vdesin, përfshirë italianë dhe katolikë në mbarë botën”, tha mes të tjerash Trump për New York Post.

Donald Trump i tha New York Post se kishte dy pyetje për Papën: “Pse e konsideroni të pranueshme që Irani të posedojë një armë bërthamore dhe të vrasë 42,000 protestues?”.

Ora 21:27

Trump: S’jam nën presion, marrëveshja me Iranin do të arrihet shpejt! Do të jetë më e mirë sesa të mëparshmet

Donald Trump ka shkruar në Truth Social se SHBA-të po përgatisin një marrëveshje me Iranin që do të jetë “shumë më e mirë” se marrëveshjet e nënshkruara nga presidentët e mëparshëm amerikanë.

Ai i referohet konkretisht Planin të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit të vitit 2015 mes Iranit dhe SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë.

Trump e quan këtë “një nga marrëveshjet më të këqija të bëra ndonjëherë për sigurinë e vendit tonë”, duke shtuar se ishte “një rrugë e sigurt drejt një arme bërthamore”, gjë që “nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë”, sipas tij.

Trump i tërhoqi SHBA-të nga kjo marrëveshje gjatë mandatit të tij të parë. Ai pretendon se, nëse nuk do ta kishte ndërprerë atë marrëveshje, armët bërthamore do të ishin përdorur “kundër Izraelit dhe në të gjithë Lindjen e Mesme”.

Në një postim tjetër, presidenti amerikan thotë se një marrëveshje me Iranin do të arrihet “relativisht shpejt!”. Ai gjithashtu mohon se është nën “presion” për të arritur një marrëveshje.

“Kjo nuk është e vërtetë!”, shton ai.

Ora 18:42

Presidenti iranian: Veprimet e SHBA-së janë kontradiktore dhe nxisin mosbesim

Foto: Masoud Pezeshkian

Qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj bisedimeve me Iranin është “jo konstruktive” dhe “kontradiktore”, duke nxitur mosbesimin e Teheranit, shkroi në X presidenti iranian Masoud Pezeshkian.

“Respektimi i angazhimeve është themeli i dialogut konstruktiv. Mbetet një mosbesim i thellë dhe historik në Iran ndaj sjelljes së qeverisë amerikane, ndërsa sinjalet jokonstruktive dhe kontradiktore nga zyrtarët amerikanë që dërgojnë një mesazh të hidhur: ata kërkojnë dorëzimin e Iranit”, shkroi Pezeshkian.

Iranianët, theksoi presidenti, “nuk do t’i nënshtrohen forcës”.

Ora 17:57

Netanyahu: Izraeli nuk e ka përfunduar ende punën e tij në Iran

1775729521_benjaminnetanyahu.JPG

Foto: Benjamin Netanyahu

Kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë një ceremonie që shënonte Ditën e Përkujtimit të Izraelit (Yom HaZikaron) tha se Izraeli ende nuk e ka “mbaruar punën e tij” në Iran,

Në fjalimin e tij, udhëheqësi izraelit i quajti sulmet e 7 tetorit 2023 të kryera nga Hamasi “një masakër të tmerrshme”.

“Që nga ajo ditë, ushtria dhe forcat e sigurisë së vendit “u kanë dhënë goditje pas goditjeje atyre që kërkojnë shkatërrimin e tyre. Bota tashmë e di vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur njerëzimin nga fanatizmi barbar”, tha Netanyahu.

Ora 17:40

Media: Marrëveshja SHBA-Iran do të nënshkruhet nesër në Pakistan

1775649265_donaldtrump.jpg

Foto:Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pret që marrëveshja me Iranin të nënshkruhet “nesër në mbrëmje në Pakistan”.

Lajmin e bëri të ditur gazetarja e Fox News, Maria Bartiromo, pas një bisede telefonike të zhvilluar me Trump.

“Ai më tha se pret që Irani të nënshkruajë një marrëveshje nesër në mbrëmje në Pakistan dhe se të gjitha pikat tani janë negociuar. Megjithatë, presidenti shtoi se nëse nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, Shtetet e Bashkuara do të hedhin në erë të gjitha termocentralet në Iran dhe shumë më tepër”, deklaroi ajo.

“Presidenti”, vazhdoi ajo, “më tha pak çaste më parë se duhet të jetë ‘e shpejtë’ sepse negociatat kanë përfunduar, ata u përpoqën të tërhiqeshin nga marrëveshja, por tani nuk do ta bëjnë më këtë.”

Ora 17:22

Presidenti Trump: Nuk do të nxitohem për një marrëveshje të keqe me Iranin! Bllokada e Hormuzit do të vijojë derisa të arrijmë një pakt

1776184766_donaldtrump.jpg

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha për Bloomberg se nuk do të nxitohej të “bënte një marrëveshje të keqe me Iranin”.

“Ne nuk do ta heqim bllokadën e Hormuzit derisa të ketë një marrëveshje”, këmbënguli Trump.

Donald Trump përsëriti qëllimin e tij për të hequr bllokadën amerikane të Hormuzit në momentin që do të ketë një marrëveshje.

“Ata duan që unë ta hap atë. Ata duan me dëshpërim që unë ta hap atë, por unë nuk do ta bëj derisa të ketë një marrëveshje”, shtoi presidenti.

Ora 16:39

Trump mohon pretendimet: Nuk ishte Netanyahu që më shtyu të hynim në luftë me Iranin

1775835796_uygyoo.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë pretendimet se ai është “bindur” që të bashkohet me luftën kundër Iranit nga Izraeli.

Në vend të kësaj, Trump shkruan në një postim në Truth Social se përfshirja e Amerikës në konflikt bazohej në 7 tetor dhe në “mendimin e tij të përjetshëm se IRANI NUK MUND TË KETË KURRË NJË ARMË BËRTHAMORE”.

“I shikoj dhe i lexoj ekspertët dhe sondazhet e lajmeve të rreme me mosbesim të plotë”, tha Trump.

“90% e asaj që thonë janë gënjeshtra dhe histori të sajuara, dhe sondazhet janë të manipuluara, ashtu siç u manipuluan zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.”

Trump shtoi se SHBA në Iran do të ketë një fushatë të suksesshme “si rezultatet në Venezuelë”, duke paralajmëruar udhëheqjen iraniane se nëse janë “të zgjuar, Irani mund të ketë një të ardhme të shkëlqyer dhe të begatë”.

Që nga fillimi i luftës me Iranin ka pasur disa pretendime se Trump është ndikuar nga Benjamin Netanyahu, përfshirë ish-nënkryetaren Kamala Harris, e cila tha se u “tërheq në” luftë nga Izraeli.

Ora 16:26

Presidenti Trump: Shefi i Shtabit të Ushtrisë Pakistaneze nuk ka bërë asnjë propozim në lidhje me bllokadat e porteve iraniane

1776184766_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se shefi i Shtabit të Ushtrisë Pakistaneze, Asim Munir, nuk ka bërë asnjë propozim për bllokadën e SHBA-së në portet iraniane.

“Ai nuk ka bërë asnjë propozim për bllokadën”, është shprehur Presidenti Donald Trump.

Në një intervistë telefonike me The Hill në lidhje me lajmin e raportuar nga Reuters, Trump hodhi poshtë versionin se Munir e kishte përmendur bllokadën si një pengesë për negociatat dhe kishte bërë rekomandime për këtë çështje.

Në vend të kësaj, Trump e mbështeti masën, duke e quajtur atë shumë efektive, pasi sipas tij, iranianët po “humbasin 500 milionë dollarë në ditë” për shkak të bllokadës.

Ora 16:08

Trump: Marrëveshja firmoset sot në Pakistan! Irani të heqë dorë nga armët bërthamore

Donald Trump shprehet optimist teksa në Fox News, thotë se një marrëveshje me Iranin do të firmoset sot në Islamabad të Pakistanit. Më herët ai tha për New York Post se delegacioni amerikan i kryesuar nga Zv/Presidenti JD Vance, pritet të mbërrijë për pak orë në vendin e negociatave.

Në qendër të negociatave në Islamabad është një kërkesë e panegociueshme nga SHBA-të, që Irani të heqë dorë nga armët bërthamore.

“Hiqni dorë nga armët bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, ka këmbëngulur Donald Trump në disa deklarata për New York Post. Irani ka një potencial të madh për të lulëzuar, “mund të jetë vërtet një vend i mrekullueshëm”, është shprehur ai.

Ora 15:58

Mediat: Teherani i gatshëm të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve

Irani është i gatshëm të marrë pjesë në raundin e dytë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara. Dy zyrtarë pakistanezë thanë se autoritetet iraniane kanë shprehur qëllimin e tyre për të dërguar një delegacion për një raund të dytë bisedimesh në Islamabad këtë javë. Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin me median, thanë se ekziston një optimizëm i kujdesshëm se si delegacionet iraniane ashtu edhe ato amerikane do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Islamabad. Burimet shtuan gjithashtu se Pakistani nuk do të zbulojë detajet e planeve të udhëtimit të secilës palë për arsye sigurie dhe i kërkuan medias të shmangë spekulimet rreth kohës së bisedimeve, duke theksuar se procesi mbetet në zhvillim e sipër.

Ora 15:54

‘Negociatat duhet të zhvillohen, s’po luan njeri’, Trump shpreh gatishmërinë për të takuar udhëheqësit iranianë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për New York Post se është “i gatshëm” të takojë “liderët e lartë iranianë nëse arrihet një përparim”, duke iu referuar raundit të dytë të negociatave që priten të zhvillohen në Pakistan, edhe pse nga ana e Teheranit deri më tani s’ka konfirmim për pjesëmarrje.

“Bisedimet duhet të zhvillohen. Supozoj se në këtë pikë askush nuk po bën lojëra”, vijoi Trump. JD Vance, Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të mbërrijnë në Islamabad në mbrëmje, saktësoi më tej ai.

Ora 15:52

Trump: Bllokada amerikane është shumë e fortë, Irani humbet 500 milionë dollarë në ditë

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për bllokadën detare kundrejt anijeve iraniane.

“Bllokada është shumë e fuqishme, shumë e fortë. Ata humbasin 500 milionë dollarë në ditë për sa kohë që bllokada është në fuqi. Ne e kontrollojmë atë, jo ata”, u shpreh ai për The Hill. Presidenti hodhi poshtë lajmin, të publikuar nga Reuters duke cituar një burim pakistanez, sipas të cilit presidenti amerikan po shqyrtonte këshillën e shefit të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, se bllokada amerikane e porteve iraniane përbën një pengesë për negociatat. “Ai nuk më ka thënë asgjë”, deklaroi Trump.

Më tej, ai njoftoi se delegacioni amerikan i udhëhequr nga JD Vance është nisur drejt Pakistanit dhe avioni pritet të ulet pas disa orësh.

Ora 15:38

Lufta me SHBA dhe Izraelin, Teherani rihap dy aeroportet kryesore civile

1776692431_Iraniiia.jpg

Irani ka rihapur dy aeroportet kryesore civile të Teheranit, Imam Khomeini dhe Mehrabad, tha autoriteti i aviacionit të vendit në një deklaratë të cituar nga ISNA, pas mbylljeve të shkaktuara nga lufta me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Sipas mediave të huaja, në deklaratë njoftohej se rihapja e aeroporteve do të niste duke filluar nga dita e shtunë.

Po ashtu raportohet se që nga e shtuna, fluturimet e pasagjerëve do të jenë të mundura nga 10 aeroporte në të gjithë Iranin.

Ora 15:29

Rusia: Ne mbështesim çdo përpjekje ndërmjetësimi për situatën në Lindjen e Mesme

Rusia mirëpret të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese për situatën në Lindjen e Mesme, pasi Moska ndan të njëjtat qëllime, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Yevgeniy Ivanov.

“Ne mirëpresim të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese që synojnë promovimin e procesit të zgjidhjes. Iniciativa e Rusisë për të rifilluar dialogun mbi krijimin e një sistemi kolektiv sigurie në rajonin e Gjirit, me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të interesuara rajonale dhe mbështetjen e ndërmjetësve ndërkombëtarë, synon gjithashtu zgjidhjen e kësaj çështjeje”, deklaroi Ivanov në Forumin Bashkiak Gjithë-Rus.

Rusia kundërshton rifillimin e veprimeve agresive nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit dhe Libanit, shtoi diplomati i Moskës.

Ora 13:32

Mossad: Parandaluam sulm iranian ndaj gazsjellësit të Kaspikut

1776685239_Israelflagshop.jpg

Shërbimet sekrete izraelite (Mossad), së bashku me ushtrinë dhe Shin Bet, kanë bërë të ditur sot se autoritetet e Azerbajxhanit kanë parandaluar një plan të Iranit për të goditur naftësjellësin Baku-Tbilisi-Ceyhan. Në një komunikatë, Mossad thekson gjithashtu se është penguar një sulm ndaj ambasadës izraelite në Baku, një sinagoge dhe liderëve të komunitetit hebre.

Qeliza po “çonte përpara plane për të goditur një objektiv strategjik, naftësjellësin që kalon nëpër Gjeorgji dhe Turqi (BTC), si dhe disa objektiva dhe institucione hebreje në vend, përfshirë ambasadën izraelite, sinagogën e Bakusë dhe liderët e komunitetit hebre”.

Ora 13:30

Pakistani i drejtohet Trumpit: Bllokada detare pengon bisedimet

1775667154_pakistan.webp

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke theksuar se bllokada detare e vendosur nga SHBA ndaj porteve iraniane është një pengesë për një raund të mundshëm të ri negociatash mes Teheranit dhe Uashingtonit. Këtë e ka bërë të ditur një burim i sigurisë pakistaneze për Reuters, sipas raportimit të al-Arabiya. Sipas të njëjtit burim, Trump është përgjigjur se do ta marrë parasysh këtë sugjerim të Munirit.

Ora 10:54

Irani: Transferimi i rezervave tona të uraniumit në Shtetet e Bashkuara nuk është kurrë në tryezën e negociatave

Mundësia e transferimit të rezervave bërthamore të Iranit “nuk ka qenë kurrë në tryezën e negociatave” me Shtetet e Bashkuara, përsëriti zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, i cituar nga mediat iraniane. “Në asnjë fazë të negociatave aktuale ose të mëparshme nuk është diskutuar transferimi i rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit në Shtetet e Bashkuara ose në ndonjë vend tjetër, dhe një opsion i tillë nuk është në axhendën e Republikës Islamike të Iranit”, sqaroi ai. “Qëndrimi i vendosur i vendit është të ruajë arritjet e tij bërthamore brenda territorit iranian”, shtoi ai.

Ora 10:53

Presidenti iranian: SHBA-të po provokojnë duke shkelur armëpushimin, po tradhtojnë diplomacinë

Presidenti iranian Massoud Pezeshkian akuzoi Shtetet e Bashkuara për “provokime” dhe shkelje të armëpushimit. Pezeshkian “kritikoi ashpër” Uashingtonin për “shkelje të vazhdueshme të angazhimeve, ngacmime dhe sjellje të paarsyeshme” gjatë negociatave dhe periudhës së armëpushimit, raportoi agjencia e lajmeve iraniane, duke cituar një deklaratë në lidhje me një telefonatë midis presidentit dhe kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, i cili po ndërmjetëson midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Presidenti “falënderoi Pakistanin për përpjekjet e tij serioze për të promovuar paqen”, por gjithashtu i përshkroi “veprimet provokuese dhe të paligjshme” të Shteteve të Bashkuara, të ashtuquajturën bllokadë detare, si “një shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit”. Këto veprime, “së bashku me retorikën kërcënuese të zyrtarëve amerikanë kundër Iranit, vetëm sa thellojnë mosbesimin ndaj seriozitetit të Amerikës dhe zbulojnë më tej se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të përsërisin modelet e mëparshme dhe të tradhtojnë diplomacinë”, paralajmëroi ai.

Ora 09:53

Teherani: Nuk do të pranojmë ultimatume! Nëse ata sulmojnë, ne do të përgjigjemi

1775927062_hormuzi.jpg

Irani i hedh poshtë kërcënimet dhe ultimatumet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. “Republika Islamike e Iranit, në mbrojtjen e interesave të saj kombëtare, nuk njeh as afate dhe as ultimatume”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. “Mbrojtja e interesave kombëtare do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, dhe në rast të iniciativave të reja aventureske nga Shtetet e Bashkuara ose regjimi sionist, forcat e armatosura do të përgjigjen me forcë dhe me gjithë fuqinë e tyre”, siguroi ai.

Ora 09:07

Negociatat me SHBA/ Zyrtari iranian: Ndoshta do të shkojmë në Islamabad, nëse sinjalet janë pozitive

Nëse vijnë “sinjale pozitive” nga Shtetet e Bashkuara, Irani mund të dërgojë një ekip negociator në Islamabad, ku janë planifikuar bisedime të mëtejshme. Kjo është ajo që deklaroi kryetari i Komitetit Parlamentar Iranian për Sigurinë Kombëtare, Ebrahim Azizi, në një intervistë me Al Jazeera.

Ora 07:20

VIDEO/ Momenti kur Marina amerikane qëllon me top anijen tregtare iraniane, tentoi të thyente bllokadën detare

“Shkatërruesi me raketa i drejtuara USS Spruance ka interceptuar anijen Touska ndërsa lundronte në veri të Detit Arabik me shpejtësi 17 nyje, me drejtim Bandar Abbas, në Iran”, thuhet në një komunikatë të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara. “Forcat amerikane kanë lëshuar disa paralajmërime dhe kanë informuar anijen me flamur iranian se po shkelte bllokadën detare amerikane”.

Forcat e armatosura amerikane kanë publikuar një video që tregon një shkatërrues me raketa të Marinës amerikane duke hapur zjarr ndaj anijes tregtare iraniane. Sipas Centcom, pasi për gjashtë orë ekuipazhi i Touska-s “nuk iu bind paralajmërimeve të përsëritura”, Spruance urdhëroi anijen të evakuonte dhomën e motorëve.

Shkatërruesi me raketa çaktivizoi sistemin e shtytjes së anijes tregtare iraniane “duke qëlluar disa herë me topin e tij MK 45 prej 5 inçësh në dhomën e motorëve të Touska-s”. “Më pas, marinsat amerikanë të Njësisë së 31-të Ekspedicionare të Marinsave hipën në bord të anijes, e cila mbetet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Komandës Amerikane, sipas së cilës forcat e saj “kanë vepruar në mënyrë të matur, profesionale dhe proporcionale për të garantuar zbatimin e masës”.

Related articles

spot_img

Recent articles

spot_img