Carlos Alcaraz fiton garën kundër Sinner dhe ‘rrëmben’ çmimin e Sportistit të Vitit: Pa Jannikun s’do isha këtu, tani ndodhem mes legjendave

Published:

Carlos Alcaraz fiton sfidën me Jannik Sinner në “Laureus World Sports Awards 2026”, çmimet Oscar të sportit që u mbajtën për të tretin vit radhazi në Madrid. Dy tenistët ishin nominuar në kategorinë “Sportisti i vitit” dhe çmimi ka shkuar për spanjollin.

Alcaraz ka fituar pas një 2025-e të jashtëzakonshme, të kurorëzuar me numrin 1 në botë në renditjen ATP. Vitin e kaluar fitoi dy tituj Grand Slam (Roland Garros dhe US Open), si dhe shkoi në finale e Wimbledon.

Në moshën 22-vjeçare, tenisti spanjoll bëhet fituesi më i ri në moshë i çmimit, duke iu shtuar në librin e artë legjendave, si Roger Federer, Rafael Nadal dhe Novak Djokovic. Alcaraz kishte fituar çmimin Laureus si “Zbulimi i vitit” në 2023-shin dhe ndjek kështu gjurmët e ‘Big Three’: Roger Federer, Rafael Nadal, i vetmi spanjoll që e kishte fituar këtë çmim para tij dhe Novak Djokovic.

“Është një nder i jashtëzakonshëm të fitoj Çmimin Laureus në kategorinë ‘Sportisti i Vitit’. Si tenist, unë garoj për tituj në fushë, por kjo statujë Laureus do të thotë diçka më shumë, sepse do të thotë se jam njohur midis atletëve më të mëdhenj në botë, në të gjitha disiplinat.

Tre vite më parë, mora çmimin ‘Zbulimi i Vitit’ të Laureus në Paris dhe takova një nga idhujt e mi, Lionel Messin, i cili kishte fituar çmimin ‘Sportisti i Vitit’. Atë ditë, ëndërroja të shtoja emrin tim në atë listë fituesish dhe sot e kam arritur këtë. Po ndjek gjurmët e gjigantëve si Messi, Federer, Djokovic, Usain Bolt dhe sigurisht i madhi Rafa Nadal. Tani e kuptoj vërtet pse këto çmime kanë kaq shumë rëndësi për atletët më të mirë në botë”, tha spanjolli.

Alcaraz më pas falenderoi rivalin Jannik Sinner: “Nëse nuk do të ishim përballur kaq shumë herë në fushë, duke motivuar njëri-tjetrin për të përmirësuar performancat tona, nuk mendoj se asnjëri prej nesh do të kishte arritur këto nivele.

Numri 1 në botë? Nuk më shqetëson. Beteja midis meje dhe Jannikut është vërtet emocionuese. Disa javë ai është numri 1, javë të tjera unë jam numri 1. Mendoj se ai do të qëndrojë numri 1 për pak më gjatë tani. Por në fund të fundit, gara është shumë e gjatë. Kemi shumë vite përpara dhe po përpiqemi të bëjmë më të mirën në turne, duke u përpjekur shumë, dhe numri 1 do të vijë pasi t’i kemi bërë gjërat mirë.

Gjëja kryesore për mua tani është të shërohem dhe pastaj t’i bëj gjërat ashtu siç po bëjmë, të stërvitem mirë dhe do të shohim nëse mund të kthehem numri 1 së shpejti apo jo”, tha Alcaraz në skenë, pas marrjes së çmimit.

Related articles

spot_img

Recent articles

spot_img