Në kuadër të një kapitulli të ri bashkëpunimi dhe me objektiv thellimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Gjatë diskutimit, Endrit Shabani paraqiti vizionin e tij për një institucion më energjik dhe proaktiv. Ai vuri theksin mbi rëndësinë e llogaridhënies së administratës publike dhe nevojën për të mbrojtur ata qytetarë që nuk kanë zë. Z. Shabani theksoi se institucioni i Avokatit të Popullit do të jetë kyç në sigurimin që reformat e ndërmarra në vend të përkthehen në standarde të vërteta evropiane për të gjithë shqiptarët, duke promovuar të drejtat themelore.
Nga ana e tij, Ambasadori Silvio Gonzato vlerësoi lart qasjen e re dhe dinamike të drejtuesit të institucionit. Ai rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Bashkimit Evropian, duke e konsideruar Avokatin e Popullit si një partner thelbësor strategjik në monitorimin e zbatimit të standardeve të Kapitullit 23 të acquis komunitar, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
Në këtë kontekst, Avokati i Popullit theksoi se mbrojtja e të drejtave në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë përbën një prioritet absolut, pasi këto fusha ndikojnë drejtpërdrejt mirëqenien dhe dinjitetin e përditshëm të çdo qytetari. Ai shprehu gjithashtu angazhimin për të adresuar vonesat gjyqësore dhe për të garantuar akses të barabartë në drejtësi. Megjithatë, për të arritur këto objektiva, Shabani kërkoi krijimin e një mekanizmi efektiv penalizues për institucionet publike që neglizhojnë apo shpërfillin rekomandimet e lëshuara nga Avokati i Popullit.
Për të forcuar më tej themelet e demokracisë lokale, Avokati i Popullit shprehu mirëkuptimin dhe mbështetjen ndaj propozimit të Ambasadorit Gonzato, sipas të cilit institucioni duhet të luajë një rol aktiv në procesin e ardhshëm të reformës territoriale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve lokale dhe garantimin e një përfaqësimi të drejtë.
Në përmbyllje të takimit, të dyja palët ranë dakord për të intensifikuar bashkëpunimin e tyre përmes projekteve konkrete, të cilat do të shërbejnë për të rritur ndikimin dhe efikasitetin e institucioneve të pavarura në Shqipëri, në linjë me aspiratat evropiane të vendit.
Burimi: top-channel.tv


