Pak ditë para pjesëmarrjes së tij në Greqi për Forumin e 11-të Ekonomik Delphi, që do të mbahet me 22-25 prill, kreu i qeverisë shqiptare ka folur për median greke “Kathimerini”.
Gjatë intervistës, Rama është pyetur edhe për batutën që shkaktoi regime në Athinën zyrtare, kur foli për prejardhjen e grekëve, gjatë samitit të Abu Dabit.
“Më vjen keq që komentet që kishin për qëllim të ishin “provokuese”, më shumë për hir të diskutimit dhe me pak humor, mund të shndërrohen në çështje serioze dhe të nxisin reagime joproporcionale. Kjo më habiti. Mendoj se duhet t’i trajtojmë komente të tilla me më shumë butësi. Ato nuk kanë për qëllim të ofendojnë, por përkundrazi të inkurajojnë autosarkazmën, e cila është gjithmonë e shëndetshme.
Nëse njerëzit në Greqi që ishin të mërzitur do t’i kishin dëgjuar edhe komentet e mia se si ne në Shqipëri duhet ta marrim veten më pak seriozisht dhe të mos mbështetemi te e kaluara për t’u ndjerë më mirë ose më të rëndësishëm, mund ta kishin kuptuar që dua të them. Sidoqoftë, e kam bërë të qartë se kur bëhet fjalë për Greqinë, historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën e saj, ndjenjat e mia janë plotësisht pozitive. E admiroj shumë dhe kushdo që më njeh e kupton këtë.
Megjithatë, tendencat nacionaliste ndonjëherë mund të shfaqen shpejt, shpesh duke reflektuar mungesë pjekurie dhe ndërgjegjësimi. Ne të gjithë duhet të përpiqemi të buzëqeshim më shumë dhe ta marrim veten, dhe të tjerët, pak më pak seriozisht”, tha Rama lidhur me këtë rast.

Më tej, kreu i ekzekutivit është pyetur në lidhje me origjinën e tij, dhe prejardhjen e të ëmës, nga fshati Vuno i Himarës, por edhe për akuzat që pasuan pas asaj deklarate në Abu Dabi se kishte përfituar nga Greqia (gjatë kohës që ishte kryetar bashkie i Tiranës) bursë për të studiuar në Harvard, gjë që Rama e mohoi.
“Vunoi është një fshat në Himarë, ka njerëz që flasin greqisht në fshatra të tjerë, por në Vuno askush nuk fliste greqisht. Nuk e di arsyen, por kjo nuk do të thotë asgjë. Nëse do të kisha rrënjë greke do të isha shumë i lumtur dhe krenar, por nuk i kam. Jam krenar për rrënjët e mia shqiptare.
Së dyti, nuk kam marrë kurrë bursë për në Harvard dhe nuk kam studiuar kurrë në Harvard. E kam vizituar atë, falë një shoqeje shumë të ngushtë dhe të dashur, e cila është si motër për mua dhe një greko-amerikane. Megjithatë, nuk kam studiuar kurrë atje. Qarkullojnë shumë dezinformata dhe nuk e kuptoj pse”, u shpreh kryeministri.
Fshati Vuno


