Postimet e presidentit amerikan Donald Trump në rrjetet sociale kanë komplikuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund tensioneve mes Shtetet e Bashkuara dhe Iranit, duke minuar optimizmin për një marrëveshje të mundshme.
Sipas një raporti të CNN, palët dukeshin pranë një dakordësie për t’i dhënë fund konfliktit shtatë-javor, por situata ndryshoi pasi Trump publikoi komente mbi negociatat në zhvillim dhe komunikoi drejtpërdrejt me gazetarët. Në postimet e tij, ai pretendoi se Irani kishte pranuar disa kushte kyçe, përfshirë dorëzimin e uraniumit të pasuruar, ndonëse këto nuk ishin finalizuar.
Reagimi nga Teherani ishte i menjëhershëm. Zyrtarët iranianë hodhën poshtë publikisht pretendimet, duke mohuar se ekziston një marrëveshje apo se janë gati për një raund të ri bisedimesh. Kjo solli një goditje të shpejtë ndaj klimës së besimit që po krijohej mes palëve.
Burime brenda administratës amerikane kanë pranuar për CNN se deklaratat publike të Trump kanë dëmtuar procesin, duke theksuar ndjeshmërinë e negociatave dhe mosbesimin e thellë të Iranit ndaj SHBA-së. Po ashtu, raportohet për ndarje të brendshme në kampin iranian, mes ekipit negociator të udhëhequr nga Mohammad Baqer Ghalibaf dhe Abbas Araghchi, dhe Gardës Revolucionare Islamike, çka ngre pikëpyetje mbi vendimmarrjen përfundimtare.
Sipas burimeve të njohura me bisedimet, pala iraniane është shqetësuar veçanërisht nga mënyra se si negociatat po trajtohen publikisht, duke mos dashur të perceptohet si e dobët në arenën ndërkombëtare.


