
Legjenda e muzikës turke, Ibrahim Tatlises, është larguar nga Spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll, ku po trajtohej që prej 7 prillit dhe së fundmi iu nënshtrua një operacioni në fshikëzën e tëmthit. Dalja e tij nga spitali u shoqërua me deklarata të forta, të cilat kanë bërë bujë në Turqi dhe më gjerë.
Gjatë prononcimit për mediat, Tatlises foli hapur për ditët e qëndrimit në spital dhe raportet brenda familjes, duke zbuluar se vetë kishte kërkuar që disa nga fëmijët e tij të mos lejoheshin ta vizitonin.
Ai u shpreh emocionalisht për marrëdhëniet familjare, duke veçuar vajzën Tugçe, ndërsa la të kuptohet se raportet me djalin Ahmet Tatlises vazhdojnë të jenë të tensionuara.
“Jo të gjithë janë në vendin që meritojnë në zemrën time”, deklaroi këngëtari, duke shtuar se po të ishte në vendin e fëmijëve të tij, nuk do ta linte kurrë babanë vetëm në një situatë të tillë.
Por deklarata që shkaktoi edhe më shumë reagime ishte ajo për trashëgiminë. Tatlises theksoi se nuk do t’ua lërë pasurinë fëmijëve, por shtetit turk. Ai argumentoi se gjithçka e ka ndërtuar vetë dhe se secili duhet të krijojë rrugën e vet në jetë, duke shtuar se emri “İbrahim Tatlises” është trashëgimia më e madhe që u ka lënë.
Në fund, artisti i qetësoi fansat duke paralajmëruar se po vijnë edhe projekte të reja muzikore. Ai njoftoi se këtë javë do të publikojë këngën “Baboş”, ndërsa nuk mungoi as një “parashikim” sportiv, duke deklaruar se në derbin e ardhshëm “Fenerbahçe do të fitojë”. /Telegrafi/


