
Real Madridi mbetet i palëkundur ndaj kërkesave të Vinicius Junior për një paketë vjetore prej 30 milionë eurosh, e cila do të përfshinte pagën bazë, bonuset dhe bonusin e rinovimit, në bisedimet e ngecura për kontratën, raporton Mario Cortegana i The Athletic.
Braziliani aktualisht përfiton rreth 17 milionë euro neto në sezon, një shifër e përafërt me atë të Kylian Mbappe, ndërsa kontrata e tij skadon në vitin 2027, që do të thotë se pas përfundimit të këtij sezoni do t’i mbetet edhe një vit tjetër marrëveshje.
Oferta më e fundit e Real Madridit thuhet se qëndron në 20 milionë euro neto në vit. Megjithatë, klubi nuk ka traditë të japë bonuse rinovimi dhe, sipas raportimit, po këmbëngul që të respektohet struktura e rreptë e pagave.
Bisedimet kanë qenë të ngrira që nga vera e kaluar dhe deri tani ka pasur pak ose aspak progres, pavarësisht dëshirës së ndërsjellë për vazhdimin e bashkëpunimit. Reali mbetet i sigurt për rinovimin edhe për shkak të marrëdhënies së mirë që Vinicius ka me presidentin Florentino Perez.
Nga ana tjetër, Vinicius besohet se po kërkon të ketë më shumë “levë” negociuese, sidomos me synimin për një Botëror të fortë, dhe nuk po nxiton, edhe pse i kanë mbetur rreth 14 muaj deri në hyrjen në vitin e fundit të kontratës.
Real Madridi e konsideron rinovimin si prioritet, por nuk është i gatshëm të lëshojë pe, ndryshe nga disa raste të rralla në të kaluarën.
Për momentin, hendeku ekonomik mes palëve mbetet i madh, pavarësisht pretendimeve të mëhershme se kishte një “marrëveshje në parim”, të cilat janë mohuar ose minimizuar nga burime pranë klubit./Telegrafi/



