TIRANË-Një aksident tragjik u regjistrua ditën e sotme në aksin Tiranë-Durrës me 1 të vdekur dhe 12 të plagosur. Një autobus me pasagjerë ishte nisur nga Berati për në kryeqytet, kur drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe mjeti është përmbysur në mes të rrugës.
Siç shihet edhe nga pamjet që solli Report Tv, përplasja ka qenë aq e fortë sa që autobusi ka marrë para dhe barrierat e rrugës të cilat kanë depërtuar brenda mjetit.
Viktimë e aksidentit mbeti vetëm shoferi Redion Hasimi. Ndërkohë, 12 të lënduarit ndodhen për mjekim te Spitali i Traumës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 7 prej pasagjerëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, përfshirë edhe një fëmijë i intubuar.
Shefi i Urgjencës te Spitali i Traumës, Agustin Suma, ka njoftuar se 2 prej të plagosurve janë shtetas të huaj, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Po ashtu Agustin Suma ka njoftuar se shoferi Redion Hasimi mbërriti në spital pa shenja jete.
Policia e Shtetit ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shoferi i mjetit ka pësuar infarkt dhe ka humbur kontrollin e mjetit.
Lajm në përditësim…
Aksidenti në aksin Durrës-Tiranë, shefi i Urgjencës tregon gjendjen e pacientëve: Një fëmijë në gjendje të rëndë! 5 të tjerë në operim, 2 turistë ende të paidentifikuar

Shefi i Urgjencës së Traumës, Agustin Suma ka dhënë detaje për gjendjen e të plagosurve në aksin Tiranë-Durrës ku u përmbys autobusi. Shoferi 36-vjeçar ka mbërritur në spital pa shenja jete. Shefi i Urgjencës thotë se mes të plagosurve janë 2 fëmijë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Ndërkohë, 5 të tjerë janë futur në operim, mes tyre 2 turistë të cilët ende nuk janë identifikuar.
“Janë 2 të mitur, një i moshën 8-9 në gjendje të rëndë, një tjetër 14 vjeç në repartin e observimit. 5 pacientë 30-50 vjeç po i nënshtrohen operacionit. 2 prej tyre janë shtetas të huaj, identiteti i të cilëve nuk janë konfirmuar ende. Ndodhen në gjendje të rëndë. 5 të tjerë janë në gjendje të stabilizuar në urgjencë. Këta të pesë nuk paraqesin rrezik për jetën. Ekipi mjekësor po ndjek nga afër ecurinë klinike të çdo pacienti”, tha ai.
Përmbysja e autobusit të linjës Berat-Tiranë, automjeti hiqet me karrotrec pas aksidentit tragjik

Autobusi i cili u përmbys në aksin Durrës-Tiranë është hequr me karrotrec nga vendi i ngjarjes.
Dyshohet se shkak i aksidentit, ishte pasi shoferi 36-vjeçar pësoi një arrrest kardiak.
Aksidenti në aksin Tiranë-Durrës, reagon Lamallari: Thellësisht i tronditur, të nxjerrim mësim nga kjo ngjarje!

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar për aksidentin e autobusit të linjës Berat-Tiranë në aksin Kashar-Tiranë, ku humbi jetën drejtuesi i mjetit dhe u plagosën 13 persona.
Përmes një postimi, Lamallari i shprehu ngushëllimet familjes Hasimi për humbjen e të afërmit të tyre, ndërsa u uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.
Ai bëri me dije se Policia e Shtetit ka qenë menjëherë në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
“Momente të tilla të vështira duhet të shërbejnë edhe si një thirrje për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si garancia më e madhe për vetë jetën”, shkroi Lamallari.
Aksidenti në aksin Tiranë-Durrës, policia: Një fëmijë u rikthye në jetë pas reanimimit, në gjendje të rëndë të Trauma
Policia e Tiranës ka bërë një deklaratë pas përmbysjes të autobusit të linjës, Berat-Tiranë.
Në një reagim zyrtar blutë bëjnë me dije fillimisht shoferi që vdiq ishte 36-vjeç. Ndërkohë nga 12 të lënduarit mes tyre janë edhe dy të mitur ku njëri ndodhet në gjendje të rëndë.
Ky i fundit u dërgua në spital pa shenja jete, por bluzat e bardha e rikthyen në jetë përmes procedurave të reanimimit.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i plotë:
Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.
Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.
Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Përmbysja e autobusit të linjës Berat-Tiranë, Drejtori i Rrugores: Shkak dyshohet humbje e kontrollit të drejtuesit të mjetit
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci tha në një prononcim për mediat se 15 persona kanë mbetur të plagosur nga përmbysja e autobusit i linjës Berat-Tiranë dhe anasjelltas.
“Janë 15 të plagosur, një fëmijë në gjendje të rëndë. Paraprakisht dyshohet humbje e kontrollit. Policia e shtetit apelon që të gjithë të respektojnë rregullat e qarkullimit. Autobusi është lincesuar për transportin e pasagjerëve, Berat-Tiranë dhe anasjelltas. Ngjarja është në hetim e sipër”, tha Drejtori i Policisë Rrugore.
Aksidenti në Tiranë-Durrës, autobusi i linjës së Beratit thyen barrierat mbrojtëse (VIDEO)
Report Tv ka siguruar disa pamje nga autobusi që u përmbys këtë të martë në aksin rrugor Durrës-Tiranë.
Siç shihet edhe nga video, autobusi ka thyer barrierat mbrojtëse, dhe kjo e fundit ka kaluar mes përmes autobusit.

