
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj debatit rreth Projektligjit për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, duke akuzuar për mungesë njohurie dhe papërgjegjësi institucionale disa përfaqësues politikë që, sipas saj, tentuan të ndryshonin dispozita që burojnë nga akti themelues i organizatës.
Në një reagim publik, Haradinaj tha se zhvillimet e javës së kaluar dhe diskutimet në Komisionin për Punë të Jashtme treguan se vendimmarrja në politikën e jashtme nga njerëz pa njohuri profesionale përbën rrezik të drejtpërdrejtë për interesat shtetërore.
Sipas saj, përfaqësues të Lëvizja Vetëvendosje kishin insistuar të ndryshonin nenin 2 të projektligjit, duke tentuar t’i përcaktonin vetë Bordit të Paqes zonat ku duhet të angazhohet për zgjidhjen e konflikteve në botë.
Haradinaj argumentoi se kjo përbënte keqkuptim themelor të funksionimit të organizatës, duke theksuar se Bordi i Paqes operon mbi një kartë të miratuar nga shtetet themeluese, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, dhe se ajo nuk mund të rishkruhet apo interpretohet sipas vullnetit të komisioneve parlamentare.
“Ajo Kartë pranohet ose refuzohet. Çdo tentativë për të ndërhyrë në fushëveprimin e organizatës jashtë aktit themelues është thjesht padituri”, ka deklaruar ajo.
Sipas Haradinajt, megjithëse propozimet për ndryshim u tërhoqën dhe projektligji kaloi në komision pa asnjë ndryshim, ashtu siç ishte dërguar nga Presidentja më 12 shkurt, dëmi politik tashmë është shkaktuar.
Ajo vlerësoi se debatet e krijuara janë interpretuar nga kundërshtarët e Kosovës si sinjal distancimi nga Shtetet e Bashkuara dhe janë përdorur kundër interesave të vendit.
Haradinaj kërkoi që në seancën e ardhshme Kuvendi ta ratifikojë projektligjin me votë unanime, duke e cilësuar këtë si akt me peshë të dyfishtë: riafirmim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe konfirmim të rreshtimit strategjik me SHBA-në.
“Çdo hezitim në këtë proces mund të lexohet si paqartësi gjeopolitike, ndërsa votimi unanim do të dërgonte mesazh të unitetit shtetëror dhe pozicionimit të qartë të Kosovës në rendin ndërkombëtar”.
Ajo shtoi se situata duhet të shërbejë si mësim profesional dhe shtetëror për të gjithë akterët e përfshirë në vendimmarrje.


