
Mesfushori Bernardo Silva ka nisur të marrë oferta edhe para se të konfirmonte largimin nga Manchester City.
Përveç Juventusit, interesim për ta transferuar atë këtë verë kanë shfaqur edhe disa klube nga Arabia Saudite dhe MLS si dhe Barcelona.
Megjithatë, portugezi dëshiron të qëndrojë në Evropë dhe raportimet e fundit thonë se agjenti i tij e ka ofruar te gjiganti madrilen Real Madrid, edhe pse përgjigja ka qenë negative.
Sipas “AS”, drejtuesit në “Santiago Bernabeu” nuk kanë dashur as ta shqyrtojnë mundësinë, pasi aktualisht Real Madridi nuk synon të transferojë lojtarë që konsiderohen “legjenda” në klube të tjera.

Një tjetër arsye, sipas raportimit, lidhet edhe me faktin se Bernardo Silva ishte vendimtar në eliminimin e Real Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2022/23. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, ai realizoi dy gola në takimin e kthimit, ku Manchester City fitoi bindshëm 4-0.
Aktualisht, Juventusi shihet si favoriti kryesor për ta blerë përfundimisht mesfushorin portugez, ndërsa Barcelona ende nuk e ka të qartë nëse duhet të hyjë në garë edhe shkaku se kanë shumë mesfushorë në skuadër që i përshtaten stilit të lojës së Hansi Flickut./Telegrafi/


