
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se qëllimi i tij nuk është zgjedhja e presidentit, por bartja e fajit te të tjerët për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Në një konferencë për media në Kuvend, Tahiri tha se situata aktuale është përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë politike.
“Kjo nuk është asgjë tjetër veç tendencë për me bartë fajin në njërën anë dhe tjetrën”, deklaroi ai.
Sipas Tahirit, AAK-ja nuk ka qenë e përfshirë në asnjë diskutim për procesin e presidentit, ndonëse, siç tha, partia nuk ka ikur nga përgjegjësia institucionale, duke votuar marrëveshjet ndërkombëtare.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, tha se kjo parti kishte ofruar që në fillim kandidatin e saj për president, duke përmendur kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas Berishës, kjo kandidaturë nuk ka marrë mbështetje as nga Lëvizja Vetëvendosje, as nga partitë opozitare.
“Ne qysh në fillim i kemi ofruar një kandidat, por nuk kemi pasur mbështetje as prej këtyre që janë në qeveri dhe as prej këtyre që janë në opozitë. Kemi pasur një kandidaturë serioze për me zgjidh këtë problem”, tha ai.
Zyrtarët e AAK-së thanë se partia mbetet e gatshme të kontribuojë në zgjidhje, por kundërshton, siç u shprehën, tentimet për ta përdorur procesin e presidentit për kalkulime politike./Telegrafi.



