Shqyrtohet sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit kërkesa e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e një vendimi të Shkallës së Parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Në seancën e kaluar shqyrtimi i ankesës u shty për shkak të parregullsive nga Drejtoria e Burgut të Durrësit, në njoftimin e Veliajt.
Sipas gjyqtares Saida Dollani, Burgjet kishin dërguar një fotokopje të shkresës që tregonte se Veliaj kishte marrë dijeni për zhvillimin e seancës, dhe jo dokumentin origjinal.
Vendimi për pezullimin u mor në dy seanca nga GjKKO, për shkak se munguan disa të pandehur të tjerë. Veliaj e konsideron të padrejtë vendimin duke argumentuar se ai ka qenë i përfaqësuar rregullisht në gjyq nga avokati i tij. Sipas tij, afatet e paraburgimit nuk mund të pezullohen për të gjithë të pandehurit.
Praktika e pezullimit të afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit, për shkak të mungesës apo zvarritjes së procesit nga njëri prej tyre, po ngre debate të forta në sistemin e drejtësisë. Avokatët kërkojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se kjo qasje cenon të drejtat individuale dhe mban në qeli persona që nuk kanë asnjë përgjegjësi për vonesat. Qëndrimi në paraburgim, njehsohet me një ditë e gjysmë burg, duke patur kështu ndikim të drejtpërdrejtë më pas në përllogaritjen e vuajtjes së dënimit përfundimtar.
Veliaj ndodhet në masë arresti me burg prej 10 shkurtit 2025 dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Lajm në përditësim…



