MADRID– Këtë të mërkurë në stadiumin ‘Metropolitano’ në Madrid, vendasit e Atleticos barazuan 1-1 kundër Arsenalit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League. Dueli u vendos nga dy 11 metërsha të realizuar mirë, teksa të martën më 5 maj në Londër do të luhet ndeshja e kthimit, aty ku do të mësojmë edhe skuadrën e parë finaliste të Champions për këtë sezon. Gjithçka mbetet e hapur për të dyja skuadrat.
Sfida nisi e qetë, me dy skuadrat që nuk dëshironin të rrezikonin. Disa raste të pastra nuk u shfrytëzuan nga lojtarët, para se në fundin e pjesës së parë Arsenali të fitonte një penallti e cila u kthye në gol nga Viktor Gyokeres, për të mbyllur 0-1 pjesën e parë.
Read more (madrid):Notat e lojtarëve, Atletico Madrid 1-1 Arsenal: Gyokeres dhe Alvarez më të mirët
Fraksioni i dytë nisi me vendasit më këmbëngulës në kërkim të golit të barazimit. Nuk vonoi shumë dhe Atletico siguroi një 11 metërsh i cili u kthye në gol nga Julian Alvarez. Në vijim, arbitri holandez Danny Makkelie akordoi një tjetër 11 metërsh për Arsenalin, por pas kontrollit nga VAR gjithçka u anulua.
Read more (Arsenal):Brandt refuzon milionat arabe, preferon transferimin në Spanjë
Edhe pse në fund u akorduan nëntë minuta shtesë, skuadrat u ndanë në paqe 1-1 dhe lanë gjithçka të hapur për të martën që vjen në gjysmëfinalen e kthimit. Ndeshja tjetër gjysmëfinale u fitua nga PSG 5-4 kundër Bayern Munich, por vetëm në aktin e parë.





