Kalo te përmbajtja
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL
VA-NEWS VA-NEWS
  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
LIVE
Navigim

VA-NEWS

  • Home
  • Aktualitet
  • Editoriale
  • Shëndetësi
  • Teknologji
  • Sport
  • Lifestyle
  • Showbiz
  • Udhëtime
Shkurtore
Kreu Të Rejat
LIVE
Gjuha
  • EN
  • SQ
  • IT
  • FR
  • ES
  • DE
  • EL

Kërko lajme

  1. Kryefaqja
  2. Aktualitet
  3. Rrethimi psikopolitik i Kosovës nga Serbia me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut
Aktualitet

Rrethimi psikopolitik i Kosovës nga Serbia me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

• 14 Maj, 2026 • 9 min lexim • 👁 2
◉ WhatsApp 𝕏 X
News

Serbia po nxit qytetarët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut kundër Kosovës, me synimin që këtë frymë, si pjesë të komunikimit të saj strategjik kundër Kosovës, ta shtrijë gradualisht edhe në nivel institucional dhe shtetëror. Kjo frymë nuk po mbetet vetëm në margjina politike ose në grupe nacionaliste, por po shfaqet edhe në komuna, parti parlamentare dhe figura të larta shtetërore që kanë histori të qartë kundërshtimi ndaj Kosovës.

Ky nuk është vetëm proces propagandistik, por përpjekje për të prodhuar armiqësi shoqërore, për ta kthyer atë në klimë politike dhe më pas për ta përkthyer në qëndrime institucionale kundër Kosovës. Në këtë mënyrë, kontestimi i Kosovës nuk mbetet më vetëm qëndrim zyrtar i Serbisë, por tentohet të paraqitet si vullnet i qytetarëve dhe i institucioneve në vendet fqinje.

Zeta si precedent politik

Me 12 maj, në ditën e festës së Shën Vasilit, një i shenjtë për ortodoksët serbë dhe malazezë, Komuna e Zetës në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Popullore Demokratike, mori vendim për “anulimin” e njohjes së Kosovës. Ky vendim erdhi pas mitingut të kësaj partie, të mbajtur më 10 maj, me në krye deputetin malazez Milan Knezheviq, ku u paralajmërua lobimi për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Knezheviqi, me gjuhë të qartë nacionaliste, shtoi se Mali i Zi duhet të dalë nga ky “kolonializëm” dhe të kthehet te rrënjët e Njegoshit.

Në dukje, ky vendim mund të duket absurd. Komunat nuk njohin shtete dhe as nuk mund të tërheqin njohje për diçka që nuk është në kompetencën e tyre. Por, pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes dhe qëllimi nuk është efekti juridik por politik, psikologjik dhe simbolik.

Read more:Ministri i Malit të Zi kritikon ashpër vendimin e një komune për çnjohjen e Kosovës

Zeta nuk mund ta ndryshojë statusin e Kosovës, por mund të krijojë precedent. Ajo mund të testojë reagimin e Podgoricës, të opinionit publik, të faktorit ndërkombëtar dhe të komunave të tjera ku aktorët pro-serbë kanë ndikim. Prandaj, ky rast nuk duhet lexuar si vendim komunal, por si test i eksportimit të kontestimit serb ndaj Kosovës në institucionet lokale të vendeve fqinje, ku një akt pa efekt juridik përdoret për të prodhuar efekt politik, emocional dhe komunikues. Kjo është fazë më e avancuar e luftës hibride. Fillimisht prodhohet narrativë, pastaj krijohet emocion kolektiv dhe ai emocion futet në religjion, histori, sport, festivale, grafite dhe tubime politike. Më pas një aktor lokal e shndërron këtë atmosferë në akt institucional, edhe nëse ai akt nuk ka fuqi juridike.

Mali i Zi si hapësirë e rikonfigurimit serb

Qëllimi është që te populli malazez të nxitet urrejtje ndaj Kosovës dhe simpati pro-serbe përmes religjionit, nacionalizmit, historisë dhe identitetit. Prandaj, pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe ndryshimeve politike në Mal të Zi, u forcua gradualisht ndikimi i partive pro-serbe dhe pro-ruse. Nuk është rastësi as instrumentalizimi i censusit, ku përmes fushatave politike, kishtare dhe identitare u tentua të ndryshohej raporti i deklarimit kombëtar në favor të identitetit serb.

Këtë e kam trajtuar më gjerësisht në punimin tim Rreziqet dhe rikonfigurimet gjeopolitike: Serbia dhe sfida për stabilitetin e Malit të Zi [“Geopolitical Risks and Reconfigurations: Serbia and the Challenge to Montenegro’s Stability], ku kam argumentuar se Serbia synon ta përdorë Malin e Zi si hapësirë të rikonfigurimit të ndikimit të saj rajonal. Serbia nuk e sheh Malin e Zi vetëm si shtet fqinj, por si hapësirë të humbur strategjike, identitare dhe gjeopolitike. Për Serbinë, humbja e Malit të Zi nënkupton edhe humbje të daljes në det, humbje të thellësisë strategjike dhe humbje të një pjese të narrativës historike serbe mbi ortodoksinë, sllavizmin dhe trashëgiminë politike të rajonit.

Read more:Dritan Abazoviq ironizon me Qeverinë Malazeze për koncertin e Ricky Martin: "Livin’ La Vida Loca" i shkon për shtat Malit të Zi

Pikërisht për këtë arsye, Kosova përdoret në Mal të Zi jo vetëm si çështje e politikës së jashtme, por si instrument për të riorientuar vetë identitetin politik të Malit të Zi. Referimi i Knezheviqit te Njegoshi tejkalon retorikën historike drejt asaj politike. Përmes Njegoshit, Kishës Ortodokse Serbe, Shën Vasilit dhe simboleve të tjera fetare e historike, synohet të ndërtohet një vijë ideologjike ku Mali i Zi paraqitet si pjesë e botës serbe dhe jo si shtet qytetar, i pavarur dhe euroatlantik.

Rrethi i komunave pro-serbe

Në këtë kuptim, rasti i Zetës lidhet drejtpërdrejt me përpjekjen për krijimin e një rrethi komunash, strukturash dhe aktorësh pro-serbë brenda Malit të Zi. Ky rreth nuk ka nevojë të shpallet menjëherë si projekt formal. Ai mund të ndërtohet gradualisht përmes komunave, partive, kishës, mediave, censusit, narrativave historike dhe mobilizimit lokal.

Fillimisht krijohen ishuj politikë pro-serbë. Pastaj këta ishuj lidhen mes vete. Në fund, ata mund të përdoren si bazë për kërkesa më të mëdha politike: më shumë kompetenca, autonomi, asociacion komunash, federalizim, referendum ose presion ndaj qeverisë qendrore.

Kjo logjikë bëhet edhe më serioze kur shihet se fryma anti-Kosovë nuk kufizohet vetëm te komunat ose te aktorët lokalë si Zeta dhe Knezheviqi. Ajo ka hyrë edhe në nivelin më të lartë institucional të Malit të Zi. Kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka qenë ndër kundërshtarët më të ashpër të njohjes së Kosovës nga Mali i Zi. Qëndrimet e tij të mëparshme anti-Kosovë nuk kanë mbetur vetëm në nivel retorik opozitar, sepse sot ai udhëheq institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit malazez dhe është pjesë e arkitekturës së sigurisë së vendit.

Read more:Ylli Pata: Pse Berisha kërkon 100 bashki?

Kjo tregon se kemi të bëjmë me një zinxhir politik, institucional dhe komunikues, jo me incidente të shkëputura. Komunat shërbejnë si terren testimi, partitë pro-serbe si mekanizëm mobilizimi, ndërsa institucionet qendrore si hapësirë potenciale për ta kthyer këtë klimë në presion shtetëror. Në këtë zinxhir, Zeta dhe Knezheviqi funksionojnë si leva lokale të agjendës së “Botës Serbe”, ndërsa Mandiqi tregon hyrjen e kësaj fryme në nivel qendror institucional. Jo vendimi i Zetës si dokument, por Zeta si laborator politik.

Maqedonia e Veriut dhe normalizimi i urrejtjes

E njëjta logjikë është parë edhe në Maqedoninë e Veriut. Në janar të vitit 2026, rasti i Vevçanit tregoi se si narrativa nacional-shoviniste serbe po depërton në hapësira kulturore, festive dhe lokale. Më 16 janar kam argumentuar se ky rast është karakteristik për fazën e presionit psikologjik dhe shoqëror të luftës hibride, ku qëllimi nuk është domosdoshmërisht eskalimi i menjëhershëm, por normalizimi gradual i diskursit të urrejtjes dhe konfliktit.

Read more:Çfarë ndodh me Vjosa Osmanin nëse LDK nuk del me rezultat të mirë zgjedhor? – Përgjigjet Zemaj

Në Maqedoninë e Veriut janë dëgjuar edhe thirrje të hapura anti-shqiptare në ngjarje sportive, përfshirë thirrje si “Vritni shqiptarët”. Këto mesazhe nuk duhet të trajtohen si incidente të izoluara, sepse përsëriten në forma të ndryshme në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në hapësira të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Një grafit mund të jetë incident. Një thirrje në stadium mund të jetë incident. Një karnaval mund të paraqitet si satirë. Një vendim komunal mund të duket absurd. Por kur të gjitha këto përsëriten në vende të ndryshme, me të njëjtën logjikë anti-Kosovë dhe anti-shqiptare, atëherë nuk kemi më thjesht incidente. Kemi model veprimi.

Rrethimi psikopolitik

Ajo që tregojnë këto raste është se Serbia po vepron në mënyrë shumëvektoriale. Ajo përdor nacionalizmin, religjionin, sportin, grafitet, festivalet, komunat dhe aktorët politikë për të krijuar një mendësi anti-Kosovë në rajon. Synimi është që fillimisht të prodhohet presion shoqëror, pastaj të krijohet klimë politike dhe në fund kjo klimë të përkthehet në qëndrime institucionale kundër Kosovës.

Pra, kemi të bëjmë me një formë rrethimi psikopolitik ndaj Kosovës. Jo rrethim klasik ushtarak, por rrethim me armiqësi të prodhuar në shoqëritë përreth saj. Qëllimi është që Kosova të mos përballet vetëm me kontestimin shtetëror të Serbisë, por edhe me një klimë të fabrikuar armiqësore në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Read more:Mickoski: Nuk ka rrugë të shkurtë për në BE, vendin tonë duhet ta meritojmë

Kjo i shërben Serbisë në disa drejtime. E relativizon rolin agresiv të Beogradit, sepse çështja nuk paraqitet më si Serbi kundër Kosovës, por si “pakënaqësi rajonale” ndaj Kosovës. Krijon presion mbi qeveritë fqinje që të mos e mbështesin Kosovën fuqishëm. Po ashtu, i jep Serbisë material propagandistik dhe diplomatik për ta paraqitur Kosovën si faktor destabilizues, ndërsa vetë Serbia paraqitet si shtet që “menaxhon shqetësimet” e serbëve dhe aleatëve të saj në rajon.

Prandaj, Zeta dhe Knezheviq nuk janë fillimi i kësaj strategjie. Ata janë aktivizimi i saj në formë të hapur politike. Juridikisht, efekti i veprimit të Komunës së Zetës është zero. Politikisht dhe psikologjikisht, efekti është real. Ky është evoluimi tipik i luftës hibride: nga narrativa në emocion, nga emocioni në mobilizim, nga mobilizimi në akt lokal dhe nga akti lokal në presion institucional. Nëse ky model nuk identifikohet dhe nuk kundërshtohet herët, ai mund të shndërrohet në zinxhir politik rajonal kundër Kosovës.

(Autori është profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”)

Lexo edhe
Aktualitet

E rëndë në aksin Elbasan-Librazhd, përplaset për vdekje një 7-vjeçar/ Po kalonte rrugën për në shkollë, i shpëtoi nga duart nënës

Aktualitet

“Incident i papranueshëm”/ Sulmi në rezidencën e ambasadorit shqiptar në Kiev, MEPJ: Diplomatit rus në Tiranë iu dorëzua notë verbale

Tags: #Gurakuç kuçi #Hapesira #jetë #Komunat #Kosova #kosove #Mali #mali i zi #Maqedonia

Gazetar i VA News.

Nga e njëjta kategori
  • E rëndë në aksin Elbasan-Librazhd, përplaset për vdekje një 7-vjeçar/ Po kalonte rrugën për në shkollë, i shpëtoi nga duart nënës
  • “Incident i papranueshëm”/ Sulmi në rezidencën e ambasadorit shqiptar në Kiev, MEPJ: Diplomatit rus në Tiranë iu dorëzua notë verbale
  • Shpërthim me tritol në Kinostudio, dëme materiale në një market
  • Sherr mes të moshuarve në Kombinat, plagoset më thikë njëri prej tyre, arrestohet autori
  • Shpërthim me tritol në Kinostudio, detajet e para
Nga të njëjtat tag-e
  • Exclusive/ “Thashë shyqyr që e vranë Lamajn, do u jepja drekë çunave”, dëshmia audio e vrasësit të pamëshirshëm Nuredin Dumani: Pse vendosa të “lëshoj” shokët e krimit
  • Moti sot/ E hëna me kthjellime dhe reshje lokale shiu, ja zonat që preken
  • Brigitte “kontrollon” kandidatet femra që aplikojnë për punë në Pallatin Elyse? Libri i ri zbulon xhelozinë dhe tensionet me Emmanuel Macron
  • Tragjedi në Australi/ 39-vjeçari vdes pas sulmit nga peshkaqeni në Queensland, i treti incident fatal këtë vit
  • Rëndohet bilanci i viktimave të prekur me Ebola në Kongo, humbin jetën vullnetarët e Kryqit të Kuq, merreshin me menaxhimin e trupave të infektuar
Më të lexuarat — 48h
  1. 01
    Aktualitet Emri/ Aksident fatal në Greqi, humb jetën 55-vjeçari shqiptar, përplaset nga kamioni 6 lexime · 2 ditë më parë
  2. 02
    Aktualitet Si funksionojnë grupet kriminale ballkanike në Amerikën Latine? Zbardhet roli i emrave “VIP” të shqiptarëve në trafikun e kokainës, metoda “që i veçon” 6 lexime · 3 orë më parë
  3. 03
    Aktualitet Shpërthim me tritol në Kinostudio, dëme materiale në një market 4 lexime · 44 minuta më parë
  4. 04
    Aktualitet Backlogu në gjykata mbetet i lartë/ KLGj nga mbledhja në mbledhje pa zgjidhje përfundimtare, 160 mijë dosje në pritje të radhës 4 lexime · 18 orë më parë
  5. 05
    Aktualitet Emri/ Dyshohet se i vuri zjarrin tregut të fruta-perimeve në Lushnjë, në pranga 48-vjeçari i shpallur në kërkim 3 lexime · 19 orë më parë
  6. 06
    Aktualitet Lufta kundër krimit, kreu i SPAK takim ndërkombëtar në Itali: Duhet qasjeje hetimore që synon të kuptojë të gjithë zinxhirin e grupeve 3 lexime · 1 ditë më parë
  7. 07
    Aktualitet Video/ Dhuna barbare ndaj kreut të AKU në Shkodër, momenti kur goditet me sende të forta në fytyrë. Autori i bëri pritë dhe… 3 lexime · 2 ditë më parë
Artikuj të Ngjashëm
Aktualitet

E rëndë në aksin Elbasan-Librazhd, përplaset për vdekje një 7-vjeçar/ Po kalonte rrugën për në shkollë, i shpëtoi nga duart nënës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Mengel të Elbasanit. Një fëmijë 7 vjeç…

• 44 minuta më parë • 1 min lexim
Aktualitet

“Incident i papranueshëm”/ Sulmi në rezidencën e ambasadorit shqiptar në Kiev, MEPJ: Diplomatit rus në Tiranë iu dorëzua notë verbale

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar zyrtarisht pas sulmit të fundit rus me dronë dhe…

• 44 minuta më parë • 2 min lexim
Aktualitet

Shpërthim me tritol në Kinostudio, dëme materiale në një market

Një shpërthim tritoli ka ndodhur në Kinostudio këtë të hënë në maketin e në pronësi të personit me…

• 44 minuta më parë • 1 min lexim
VA-NEWS VA-NEWS

Portal modern i lajmeve të besueshme, të pavarura dhe multilanguage. Informacion i saktë, çdo ditë.

  • Aktualitet
    • Botë
    • Ekonomi
  • Teknologji
  • Uncategorized
  • © 2026 VA News. Bërë me ♥ në Shqipëri
    ⌂ Kreu ◷ Të Rejat

    Powered by
    ►
    Necessary cookies enable essential site features like secure log-ins and consent preference adjustments. They do not store personal data.
    None
    ►
    Functional cookies support features like content sharing on social media, collecting feedback, and enabling third-party tools.
    None
    ►
    Analytical cookies track visitor interactions, providing insights on metrics like visitor count, bounce rate, and traffic sources.
    None
    ►
    Advertisement cookies deliver personalized ads based on your previous visits and analyze the effectiveness of ad campaigns.
    None
    ►
    Unclassified cookies are cookies that we are in the process of classifying, together with the providers of individual cookies.
    None
    Powered by