12 oficerë policie kanë mbetur të plagosur dhe 16 persona janë arrestuar gjatë natës së dytë të trazirave në Irlandën e Veriut.
Përplasjet më të forta u regjistruan në zonën e Sandyknowes, pranë Belfastit, ku policia përdori topa uji për të shpërndarë turmat e mbledhura pas tensioneve që vijojnë prej dy netësh.
Sipas autoriteteve, efektivët e policisë u sulmuan vazhdimisht me tulla, shishe, copa druri dhe bomba molotov. Pamjet nga vendngjarja treguan persona të maskuar duke shkatërruar gardhe dhe hyrje banesash për t’i përdorur si mjete sulmi ndaj policisë.
Gjatë trazirave iu vu flaka një automjeti të Departamentit të Infrastrukturës, ndërsa u dogjën edhe disa kosha mbeturinash. Turma tentoi gjithashtu t’i vinte zjarrin një ndërtese të braktisur në zonë.
Read more:Matadori lëndohet rëndë në ijë, ndërsa turma tërhiqet nga tmerri gjatë ndeshjes me dema në Spanjë
Policia bëri të ditur se, megjithëse incidentet e së mërkurës ishin serioze, ato nuk arritën nivelin e dhunës së regjistruar një natë më parë. Ndërkohë, protesta janë zhvilluar edhe në zona të tjera të Irlandës së Veriut, por kryesisht kanë qenë paqësore.




