Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është dënuar me 30 vite burg nga Gjykata Qendrore e Seulit, pasi u shpall fajtor për abuzim me pushtetin dhe veprime që, sipas prokurorëve, favorizuan armikun duke rrezikuar sigurinë kombëtare.
Sipas vendimit të gjykatës, Yoon ishte i përfshirë në planifikimin e dërgimit të dronëve në Korenë e Veriut në tetor të vitit 2024. Prokuroria argumentoi se operacioni kishte për qëllim krijimin e një situate tensioni ushtarak që do t’i shërbente si justifikim për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila më vonë dështoi dhe shkaktoi krizë të thellë politike në vend, shkruan Guardian.
Hetuesit specialë deklaruan se përpjekja për të “fabrikuar kushte lufte” përmes inkursionit me dronë minoi sigurinë e shtetit dhe rriti ndjeshëm tensionet mes dy Koreve.
Yoon ka mohuar akuzat. Avokatët e tij kanë deklaruar se ai nuk urdhëroi dhe as nuk miratoi operacionin, duke këmbëngulur se fluturimet e dronëve ishin një përgjigje ndaj balonave të mbushura me mbeturina që Koreja e Veriut kishte dërguar për muaj me radhë drejt jugut.
Autoritetet e Koresë së Veriut kishin akuzuar Seulin në vitin 2024 se kishte dërguar dronë mbi Phenian për të shpërndarë fletushka propagandistike. Megjithatë, pavarësisht rritjes së tensioneve, incidenti nuk çoi në përplasje ushtarake mes dy vendeve.
Ky është vetëm një nga proceset gjyqësore që rëndojnë mbi ish-presidentin konservator. Në shkurt të këtij viti, Yoon u dënua me burgim të përjetshëm për drejtimin e një kryengritjeje dhe përpjekjen për të paralizuar punën e parlamentit përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Ai ka apeluar edhe atë vendim, duke pretenduar se veprimet e tij ishin ndërmarrë “vetëm për të mirën e kombit”.
Karriera politike e Yoon mori fund pasi u shkarkua nga detyra nga Gjykata Kushtetuese, e cila miratoi procedurën e shkarkimit të tij. Zgjedhjet e parakohshme që pasuan u fituan nga presidenti aktual, Lee Jae Myung.




