Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet publikisht në rrjetet sociale një qytetareje nga Tetova, e cila i kërkonte dorëheqjen dhe ngrinte pikëpyetje mbi përfshirjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në zhvillimet politike të Tiranës.
Kreu i qeverisë u shpreh se, ndonëse nuk e njeh personalisht komentuesen, reagimi i saj u bë shkak për të ndarë një qëndrim mbi një çështje që, sipas tij, po keqinterpretohet në debatin publik.
Rama preku ndarjen mes diasporës dhe shqiptarëve në rajon, duke nënvizuar se statusi i tyre nuk mund të ngatërrohet. Ai theksoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të trajtohen si diaspora e Shqipërisë, pasi ata gëzojnë statusin e popullit shtetformues në vendin e tyre.
Të njëjtën logjikë kryeministri e shtriu edhe për shqiptarët e Kosovës, duke kujtuar se ata jetojnë dhe përfaqësohen brenda shtetit të tyre të pavarur.
“Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029”, tha ai.
Reagimi i Ramës:
Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!
Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.
Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:
Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?
Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.
Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:
“Ju rrugaça e sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni n’mushkni…”
Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.
Mesazhi i qytetares:
Shqiptari i Tetovës, azgan i madh në Tiranë: “Kryeministër, jep dorëheqje, na lër të qetë!”
Kush është kryeministri i tij?
A mundet, a e merr mendja, a guxon t’ia thotë këtë kryeministrit të vet?
Breshka, kërmilli dhe poltroni u bënë zotërinj, por mos na e merrni fytyrën kudo që shkoni, o pelikanë!
Kur përmendet fjala “pelikanë”, më kujtohet një restorant ku piqeshin pelikanë në hell. Ky restorant ndodhej në komunën e Zhelinës.




