Protesta ka hyrë në ditën e saj të 24-t. Në sheshin “Skënderbej” nisi grumbullimi i protestuesve, të cilët më pas nisën marshimin drejt Kryeministrisë.
Në Sheshin Skënderbej, ku edhe u grumbulluan protestuesit, pas statujës së Heroit Kombëtar, gjendeshin edhe tifozët e Botërorit që janë rehatuar për të ndjekur ndeshjet.
Një ditë më parë, grupi organizator i protestës doli me një sërë kërkesash drejtuar qeverisë që u lexuan nga ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj.
Konkretisht, kërkesat që u lexuan para protestuesve ishin:
1. Dorëheqje e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimi i një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:
* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.
Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, janë kërkesat.
Kryeministri Rama thotë se Goxhaj është zëdhënës i Iranit duke marrë shkak nga kërkesat e publikuara prej tij në rrjetet sociale.
Me një të kaluar të veshur me lavdinë e pjesëmarrjes në luftën e UÇK-së në Kosovë, aktualisht ai shfaqet si një ekstremist islamik, antisemit dhe antiamerikan që e quan Izraelin shtet terrorist, duke glorifikuar Iranin dhe Hezbollahun.
Lajm në përditësim…
Qytetarja i kundërvihet Arben Kolës: Ju i përzutë emigrantët, po bie protesta çdo ditë! Ju na ndaloni të shkojmë te parlamenti! Aktivisti ia mbyll gojën me thirrje në megafon

Një zë ndryshe mes protestuesve të grumbulluar në sheshin ‘Skënderbej.’ Ndërsa pritej të niste marshimi drejt kryeministrisë dhe aktivisti Arben Kola po u drejtohej me megafon të pranishmëve, një vajzë me një fëmijë në krahë i tha se nevojitej revoltë.
Ajo kritikoi sjelljen e organizatorëve të protestës ndaj emigrantëve dhe i akuzoi si shkak që po zhbëjnë protestën çdo ditë. Më tej, i tha se njerëzit duan të ikin drejt parlamentit (gjë që të pranishmit e brohoritën) dhe jo kryeministrisë, por organizatorët i pengojnë.
Vajza: Duhet revoltë o vëlla! A ke revoltë? Apo vetëm megafonin në dorë?
Arben Kola: Po mos të kisha revoltë, s’do të kisha dalë këtu në shesh!
Vajza: S’është revoltë kjo, me paqe!
Arben Kola: Si është revolta?
Vajza: Unë i dal përballë atij! Unë jam e para që vij!
Thirrje në kor: Bravo!
Vajza: Erdhën emigrantët dhe i përzutë!
Arben Kola: Kush i përzunë?
Vajza: I përzutë ju, s’i latë të flisnin! U bë rrëmujë aty! Po bie protesta çdo ditë prej jush! Ne duam të ikim te parlamenti tani, pse na drejtoni te kryeministria! Kush je ti që më drejton mua?
Thirrje në kor: Bravo!
Arben Kola: Ik, e lirë je!
Vajza: Ju të ndaloni, thoni mos!
Një qytetare: Bravo, ke shumë të drejtë! Edhe unë u habita, gjithë ajo autokolonë!
Për të zbehur thirrjet e saj, Arben Kola ngriti sërish megafonin duke shqiptuar sërish “dorëheqje”, por vajza nuk u spraps.
Vajza: Unë dua ta rris fëmijën këtu! Unë dua ta rris në Shqipëri! S’dua protagonizëm, jam njeri i thjeshtë! Dua drejtësi për jetën time, për fëmijën tim!
Në mes të kësaj situate Arben Kola nis marshimin, ndërsa vajza e pyet: “Pse ikën o zotëri, pse nuk dëgjon?” Marshimi vijon, ndërsa ai bën thirrjet “bashkohuni me ne” e “Shqipëri e re.”
Temperaturat e larta sfidojnë protestuesit, një grua shpërndan shishe uji falas
Sapo kanë kaluar disa minuta nga ora 19:00 e mbrëmjes, por temperaturat vijojnë të jenë të larta. Në ndihmë të protestuesve që kanë nisur të grumbullohen në sheshin ‘Skënderbej’ në kryeqytet, ka ardhur një grua e cila po shpërndan shishe uji falas.
Kujtojmë që disa ditë më parë, protestuesit njoftuan ndryshimin e orarit të grumbullimit duke e shtyrë me një orë (19:00) për shkak të vapës.




