Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri po kalon një fazë të rëndësishme transformimi, ku dixhitalizimi ka ndryshuar mënyrën e komunikimit të institucioneve me publikun dhe mediat.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, Çela tha se “dixhitalizimi shkundi drejtësinë e vjetër”, duke theksuar se organet e drejtësisë duhet t’u përshtaten ndryshimeve teknologjike dhe pritshmërive të reja të qytetarëve.
Ai vlerësoi se sistemi i drejtësisë ndodhet ende në një fazë komplekse transformimi dhe se rikuperimi i besimit të publikut, i cili sipas tij ka arritur nivele rekord të ulëta në 10–15 vitet e fundit, është një proces që kërkon kohë.
“Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t’u përshtaten në kohë transformimeve, aq më tepër për organet e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë po kalon ende një fazë komplekse transformimi shoqëror. Modernizimi i formave dhe strategjisë së komunikimit është kthyer në domosdoshmëri”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.
Çela bëri të ditur gjithashtu se është krijuar një mekanizëm koordinimi vertikal, me synimin për të rritur cilësinë e komunikimit publik dhe të njoftimeve të institucioneve të drejtësisë.




