Një emigrante shqiptare nga Shtetet e Bashkuara, me profesion kardiokirurge, mbajti një fjalim në gjuhën angleze gjatë protestës në Tiranë, ku foli për jetën e saj në SHBA dhe dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri.
Në fjalën e saj, ajo u shpreh se Amerika i ka ofruar mundësinë për të ndërtuar të ardhmen profesionale, ndërsa Shqipëria mbetet vendi që i ka dhënë identitetin dhe rrënjët.
“Amerika më ka mësuar se njerëzit janë të lirë të flasin. Amerika më dha mundësi, Shqipëria identitet. Amerika më dha të ardhmen, Shqipëria shpirtin,” deklaroi ajo.
Mjekja tha se, pas më shumë se 30 vitesh emigrim, ka një ëndërr të re: të kthehet në Shqipëri dhe të kontribuojë me përvojën e fituar jashtë vendit.
“Pas 30 vjetësh kam një ëndërr të re. Dua të rikthehem në Shqipëri. Ëndërroj për një Shqipëri ku të rinjtë ia dalin me meritokraci. Dua të sjell eksperiencën dhe dijen që fitova jashtë,” u shpreh ajo.
Sipas saj, Shqipëria duhet të krijojë kushtet që diaspora të zgjedhë rikthimin dhe të kontribuojë për zhvillimin e vendit.
“Ëndërroj për një Shqipëri të drejtë, të begatë, ku diaspora zgjedh të kthehet. Nëse kemi kurajën për të folur, mund ta bëjmë ëndrrën realitet,” tha kardiokirurgia.




