Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale po përdoren për të sulmuar aktivitetet e bizneseve në sektorin e turizmit. Detajet u dhanë nga kryepolici Skënder Hita, i cili i dedikoi një konferencë të veçantë për shtyp këtij fenomeni, që është evidentuar pas thirrjeve në protestë që ndaj bizneseve të vendosen review negative.
“Shqetësim serioz, për një veprimtari të dyshuar të koordinuar në hapësirën kibernetike. Kjo veprimtari rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese, por edhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës. Strukturat tona kanë evidentuar aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, që konsiston në publikimin masiv të komenteve dhe review negative ndaj biznese që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit. Administrimi i kallëzimeve dhe të dhënat japin indicie për ekzistencën e një rrjedhje llogarish. Brenda një periudhe këto llogari kanë publikuar në masë komente negative me qëllim dëmtimin e reputacionit të bizneseve shqiptare. Mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë. Ka llogari dhe me profile të rregullta që janë identifikuar. Janë evidentuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar vlerësime negative për biznese në qytete, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Vlorë e Sarandë. Nëse provohet që është e qëllimshme, prek konkurrencën, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si një destinacion i sigurt. Çdo përpjekje për të cenuar interesin ekonomik të vendit do të trajtohet me prioritet maksimal. Kush ka kontaktuar raste të ngjashme, të paraqesë kallëzim në polici”, tha Hita.
Lajmi në përditësim….
Protesta/ Hita: Policia s’ka ushtruar dhunë, reagimi në proporcion me sulmin

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita thotë se policia nuk ka ushtruar dhunë, ndryshe nga çfarë pretendojnë protestuesit e shoqëruara. Gjithsesi ai thotë se AMP ka nisur një hetim për të verifikuar pretendimet.
Edhe për reagimin pas akteve të dhunës te Kuvendi, Hita thotë se ishte në proporcion me sulmin.
“Protesta është kryer brenda rregullave ligjore dhe ne kemi qenë në proporcion me sulmin. Ka një hetim të nisur nga AMP, verifikues, në lidhje me pretendimet që kanë personat që policia ka ushtruar dhunë. Në asnjë moment, Policia nuk ka ushtruar dhunë si në bllokun e sigurisë, apo gjatë momenteve që kanë qenë të shoqëruar gjatë komisariateve përkatëse”, tha Hita.
Zyrtarët e “VLEN” s’u lejuan të hyjnë në Shqipëri? Hita sqaron: Një person kishte probleme, 3 të tjerët u kthyen vetë pas

Kryepolici Skënder Hita ka sqaruar pretendimet që u qarkukulan dje në protestë se zyrtarë të Maqedonisë së Veriut nuk janë lejuar të kalojnë në pikën kufitare të Qafe Thanës me qëllim që të mos i bashkoheshin tubimit në Tiranë. Bëhet fjalë për deputetin dhe koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, si edhe një person tjetër.
Por, Hita sqaroi se njëri prej tyre ka pasur pengesa të ligjshme dhe nuk i është lejuar kalimi. Për këtë arsye edhe 3 zyrtarët e tjerë janë kthyer pas për në Maqedoninë e Veriut.
“Dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas për të kaluar kufi. Tre dispononin edhe pasaporta diplomatike dhe u bë me dije që ata mund të vazhdojnë udhëtimin, por një person me ata, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër të katër personave nuk kanë pranuar që të vazhdojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk është rast që është i veçuar. Kjo është puna e policisë kufitare. Gjatë vitit 2025 kemi kthyer dhe persona të tjerë, me 625 raste. Edhe gjatë gjashtë mujorit të parë kemi të evidentuar dhe të kthyer persona në 425 raste të tjera. Kështu që kjo është një punë e përditshme dhe nuk ka një vend për panik apo thuash që policia nuk ka qenë prezent dhe për të kryer detyrën e saj”, tha Hita.




