TIRANË– Në një muaj e gjysmë, Policia e Shtetit thotë se 29 persona janë arrestuar ose vënë nën hetim, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar tre autorë të dyshuar në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër. Dy prej tyre janë arrestuar në flagrancë, ndërsa një është vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Në Kavajë, një 51-vjeçar u arrestua pasi zjarri i ndezur në tokën e tij u përhap duke djegur kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh dhe ullinjsh.
Në Vorë, në pranga përfundoi një 43-vjeçar, i cili dyshohet se ndezi zjarr në një sipërfaqe toke, duke djegur një parcelë të mbjellë me pemë frutore.
Ndërsa në Mallakastër nisi hetimi ndaj një 39-vjeçari, pasi gjatë tërheqjes së një automjeti me karrotrec u krijuan shkëndija elektrike që shkaktuan zjarr, duke djegur dhjetëra pemë arre.
Blutë u bëjnë thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave të mos ndezin zjarre apo të djegin mbetje në sipërfaqe bujqësore, pasi kjo përbën vepër penale dhe përbën rrezik për përhapjen e pakontrolluar të flakëve, si dhe për dëmtimin e pronës, shëndetit dhe jetës. Njëkohësisht, Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të zjarrvënies, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm.




