Porti i Vlorës vijon të përballet me fluks të lartë udhëtarësh, teksa sezoni turistik ka arritur kulmin. Gjatë kësaj të diele, rreth 2700 pasagjerë pritet të mbërrijnë në Vlorë përmes tre trageteve të linjës Brindisi-Vlorë.
Dy prej trageteve kanë mbërritur gjatë orëve të para të mëngjesit, duke sjellë rreth 1980 pasagjerë, ndërsa trageti i tretë pritet të ankorohet gjatë pasdites me rreth 700 pasagjerë në bord.
Përveç udhëtarëve, në port pritet të mbërrijnë rreth 700 automjete, duke shtuar ndjeshëm fluksin në pikën e kalimit kufitar.
Read more:‘Piku’ i sezonit turistik, fluks i lartë pasagjerësh në Portin e Vlorës gjatë fundjavës (VIDEO)
Për të përballuar numrin e lartë të udhëtarëve dhe për të shmangur krijimin e radhëve të gjata, Policia Kufitare ka shtuar numrin e sporteleve në dispozicion për kontrollin e dokumenteve. Nga 8 sportele që funksionojnë gjatë gjithë vitit, gjatë sezonit turistik numri është rritur në 12 sportele.
Mes udhëtarëve që kanë mbërritur në Vlorë ka edhe një numër të konsiderueshëm turistësh italianë, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Një pjesë e tyre do të qëndrojnë në Vlorë, ndërsa të tjerë do të vijojnë udhëtimin drejt destinacioneve të tjera turistike të jugut.
Fluksi i lartë i pasagjerëve dhe automjeteve pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, në një periudhë kur Porti i Vlorës mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes në Shqipëri për udhëtarët që vijnë nga Italia.
Fluks i lartë lëvizjeje në Kakavijë, mbi 12 mijë persona kaluan kufirin në 24 orët e fundit
Pika e Kalimit Kufitar të Kakavijës vijon të përballet me fluks të lartë lëvizjesh në kulmin e sezonit veror. Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë përpunuar gjithsej 12.273 shtetas në hyrje dhe dalje. Sipas të dhënave zyrtare, 8.523 persona kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 3.750 kanë dalë nga vendi.
Po gjatë kësaj periudhe janë përpunuar edhe 3.735 mjete, nga të cilat 2.597 në hyrje dhe 1.138 në dalje.
Me këtë fluks më të lartë hyrjesh në territorin shqiptar shërbimet në pikën kufitare po vijojnë punën për përballimin e lëvizjes së shtuar të qytetarëve dhe automjeteve gjatë sezonit veror.




