Ministria e Mbrojtjes bën me dije se deri në orën 14:00 të kësaj të mërkure janë raportuar 18 vatra zjarri në të gjithë vendin. Sipas bilancit, 5 vatra mbeten aktive, 6 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 7 janë shuar.
Në Ballenjë të Dibrës vijon të jetë aktive vatra në zonën e mbrojtur Ballenjë-Kostenjë, ku në terren janë angazhuar 6 forca të ADZM Dibër.
Situata mbetet më e vështirë në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku për shkak të erës zjarri ka zgjeruar perimetrin në sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në terren po punojnë 23 forca operacionale nga MZSH Bulqizë dhe strukturat e tjera bashkiake. Në të dy rastet, sipas Ministrisë, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Malin e Dardhës, Librazhd, vijon puna për shuarjen e zjarrit në sipërfaqe pyjore, ndërsa në Malin e Qukësit, Prrenjas, është riaktivizuar një vatër ku po digjen trungje të rrëzuara dhe bimësi e ulët brenda perimetrit. Edhe këtu nuk ka rrezik për banesat.
Një tjetër riaktivizim është regjistruar në Shashicë-Vodicë, Vlorë, në një zonë pyjore me shkurre. Sipas Ministrisë, zjarri ndodhet në një terren të largët dhe të paarritshëm për forcat dhe mjetet, por pa rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, situata në Malin e Dajtit, mbi tunelet e Qafë Mollës, paraqitet e përmirësuar pas reshjeve të shiut. Vatra do të mbahet nën mbikëqyrje për të shmangur çdo riaktivizim.
Po ashtu, vatra në Abaze të Krujës është izoluar plotësisht dhe zona po monitorohet, ndërsa zjarri në Bershi-Patin të Klosit është vendosur nën kontroll të plotë. Në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun të Pukës nuk ka më vatra aktive dhe zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Ministria e Mbrojtjes thekson se situata në rang vendi paraqitet përgjithësisht e përmirësuar dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Zjarri në Kurorën e Gjelbër në Sarandë, flakët pranë Manastirit të 40 Shenjtorëve
Një zjarr ka rënë ditën e sotme në Kurorën e Gjelbër në Sarandë.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se zjarri ka rënë në zonën e mbjellë me pisha, pranë Manastirit të 40 Shenjtorëve.
Ndërkohë drejt vendngjarjes kanë shkuar disa forca dhe mjete zjarrfikëse, për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Zjarr në Skrevan të Dimalit, dyshohet i qëllimshëm! (VIDEO)
Një zjarr ka përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kodrën e fshatit Skrevan, Dimal. Flakët, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pemë dhe shkurre.
Pas rreth tre orësh ndërhyrje, flakët u vunë nën kontroll, megjithatë, forcat zjarrfikëse vijojnë monitorimin.
Si pasojë e zjarrit, janë djegur rreth 10 hektarë sipërfaqe kodrinore me pemë dhe shkurre.
Paraprakisht zjarri dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm.




