22 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në vend, ku tre prej tyre mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Problematikë edhe këtë të premte mbetet Mali i Dajtit. Forcat zjarrfikëse së bashku edhe me një helikopter të Forcave të Armatosura vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës.
Vajkal, Bulqizë – zjarri vijon aktiv në një sipërfaqe me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. Gjatë operacionit janë angazhuar 40 forca vendore dhe vullnetare, ndërsa për shkak të favorizimit të flakëve nga era u aktivizua edhe 1 helikopter i FA-së. Gjatë ditës së sotme operacioni është përforcuar edhe me 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Sllatinë, Dibër – vijon aktive vatra në një sipërfaqe pyjore me ah. Për shuarjen e saj janë angazhuar gjithsej 46 forca, ndërsa për shkak të rrezikut të përhapjes drejt pyjeve me pisha operacioni është mbështetur edhe me 1 helikopter të FA-së. Forcat operacionale vijojnë punën edhe gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, 4 vatra të tjera mbahen nën mbikëqyrje në Qafë të Helmës dhe Arrmollë në qarkun Dibër, si dhe në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit në qarkun Elbasan.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar në total 288 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet nga ajri me 2 helikopterë, të angazhuar në 3 operacione.
Lajm në përditësim…




