Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Fokusi mbetet në Malin e Dajtit, ku vatrat vijojnë aktive pas disa ri aktivizimeve në të dyja anët e kreshtës. Operacioni vijon edhe sot nga toka, dhe nga ajri me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër mbeten aktive dy vatra: në Ballenjë–Kostenjë, ku sot vijon angazhimi me 6 forca zjarrfikëse, dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, e cila vijon të monitorohet. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Elbasanvijojnë aktive vatrat në Malin e Dardhës, Librazhd, ku ka pasur riaktivizim dhe në terren ndodhet shërbimi zjarrfikës, si dhe në Malin e Qukësit, Prrenjas, ku është raportuar gjithashtu riaktivizim. Nuk rrezikohen zona të banuara.
Situata paraqitet më e përmirësuar në Pukë, ku në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive; zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Në operacionet për izolimin e vatrave janë angazhuar në total 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 60 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Zjarr në Skrevan të Dimalit, dyshohet i qëllimshëm! (VIDEO)
Një zjarr ka përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kodrën e fshatit Skrevan, Dimal. Flakët, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pemë dhe shkurre.
Pas rreth tre orësh ndërhyrje, flakët u vunë nën kontroll, megjithatë, forcat zjarrfikëse vijojnë monitorimin.
Si pasojë e zjarrit, janë djegur rreth 10 hektarë sipërfaqe kodrinore me pemë dhe shkurre.
Paraprakisht zjarri dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm.




