Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen gjatë ditës së djeshme në hotelin ‘Rexhina Palm’ në Vlorë, mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinajt, ku disa persona të armatosur hynë në ambientet e brendshme të hotelit dhe kërcënuan me armë zjarri biznesmenin Bedinaj.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se konflikti mes dy ndërtuesve, së bashku me analizën e hartës pronësore të zonës, ka çuar qeverinë në vendimin për t’i dhënë fund situatës së krijuar, përmes shpronësimit për interes publik të zonës në Palasë, ku parashikohet ndërtimi i resortit për të cilin dyshohet se ndodhi sherri.
Projekti parashikon krijimin e një hapësire të dedikuar për ullirin, ku do të mbillen dhe ruhen varietete autoktone shqiptare, si edhe varietete përfaqësuese të Mesdheut.
Sipas Ramës, në këtë hapësirë pritet gjithashtu të ekspozohen vajrat e ullirit të prodhuar në Shqipëri, duke e kthyer zonën në një pikë të re informimi dhe promovimi për produktet shqiptare. Rama e përshkroi projektin si një “hapësirë të re të dijes” dhe një destinacion për turizëm eksperience.
“Një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinjë, duke pështirosur gjithë Shqipërinë, do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”, tha kryeministri.
Vendimi për shpronësimin dhe mënyra e zbatimit të tij pritet të ndiqen përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative.
Më tej, Rama e cilësoi përplasjen mes dy biznesmenëve si një “konflikt banal dhe brutal”, duke theksuar se sjellje të tilla nuk duhet të cenojnë imazhin dhe misionin e Shqipërisë si destinacion turistik.
“Jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se të gjithë aktorët e sektorit, nga investitorët deri te punonjësit e shërbimit, duhet të sillen si “ambasadorë të turizmit shqiptar”. Sipas tij, dhuna, sjellja e papërshtatshme ndaj klientëve dhe papërgjegjshmëria ndaj hapësirave publike duhet të marrin një përgjigje të fortë.
“Banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar”, deklaroi Rama.
Konflikti ditën e djeshme ndodhi mes pushuesve të cilët ishin ulur për të konsumuar pije në lokalin e hotelit ‘Regina Palm’, kur persona të armatosur mësynë në ambientet e brendshme të objektit, për t’u përballur me biznesmenin Bedinaj.
Reagimi i plotë i Ramës:
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike. Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cënojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vetë, nga investitorët te kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar.
Prandaj banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli me dhunë, me harbutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën publike, duhet të bëhen shembull të një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë. Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme. Dhe sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik e turistik për të gjithë.
Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë, ku do të mbillen dhe do të ruhen variatetet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut dhe do të ekspozohen tërë vajërat e ullirit që prodhohën në Shqipëri. Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes, e turizmit të eksperiencës, një tokë që i ndau me dhunë 2 investitorë fqinjë, duke pështirosur gjithë Shqipërinë, do kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë, në një territor paqeje nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”.
Konflikti i armatosur te ‘Regina Palm’, Lamallari: Personat në kërkim do të gjenden dhe do të dalin para drejtësisë! Hita: Po verifikojmë pretendimet e dy palëve!

Policia po punon me prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve të përfshirë në konfliktin e armatosur në resortin “Regina Palm” në Vlorë. Këto ishin fjalët që tha nga Kukësi ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari në Forumin Publik për Sigurinë, të zhvilluar në Kukës.për atë që ndodhi një ditë më parë në qytetin bregdetar.
“Ajo çfarë është e rëndësishme, pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit. Siç e tha drejtori, edhe tani që po flasim vijojnë veprimet hetimore. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë. Policia e Shtetit mbetet në dispozicion të ligjit dhe të gjitha udhëzimeve të prokurorit të çështjes për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe, patjetër, për vënien para përgjegjësisë të autorëve të përfshirë në këtë situatë”, u shpreh Lamallari.
Ngjarja, që vijon të hetohet, ka nxjerrë deri tani dy versione të kundërta për motivin e përplasjes. Biznesmeni Vasil Bedinaj pretendon se është kërcënuar me një gjobë prej 5 milionë eurosh, ndërsa Luan Muça dhe mbrojtja e tij kanë deklaruar se konflikti lidhet me një çështje pronësie për një investim në bregdetin e Dhërmiut. Sipas drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, verifikimet për pretendimet e të gjitha palëve vijojnë.
“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve, të cilët u vunë menjëherë në masën e arrestit në flagrancë. Vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, edhe në këto momente që jemi së bashku, vazhdojnë veprimet procedurale, edhe në bashkëpunim me prokurorinë. Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë, edhe në deklaratën e parë që u dha dje nga drejtori vendor, vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve”, deklaroi Hita




