Në prag të Ditës së Përkujtimit të Shën Terezës, Bashkia e Tiranës ka nisur rigjelbërimin e sheshit që mban emrin e saj. Ndërhyrja përfshin zëvendësimin e pemëve të thara dhe të dëmtuara me fidanë të rinj, si edhe rikualifikimin e sipërfaqeve të gjelbra.
Në terren janë angazhuar Drejtoria e Përgjithshme e Punëtorëve të Qytetit dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, të cilat po punojnë për sistemimin e një prej hapësirave publike më të rëndësishme të kryeqytetit.
Sipas Bashkisë së Tiranës, pemët e dëmtuara janë hequr dhe po zëvendësohen me fidanë të rinj, ndërsa sipërfaqet e gjelbra po rikualifikohen dhe sistemohen.
Synimi është që Dita e Përkujtimit të Shën Terezës ta gjejë sheshin të rigjelbëruar dhe me një pamje të transformuar.
Bashkia bën të ditur se kjo ndërhyrje është pjesë e punës për mirëmbajtjen e hapësirave publike, ndërsa aksionet për pastrimin, sistemimin dhe gjelbërimin do të vijojnë edhe në zona të tjera të Tiranës.




