Marshimi i qytetarëve vijon në Tiranë në ditën e 99-të të protestave kundër qeverisë, ndërsa studentët dhe të rinjtë kanë qenë në qendër të protestës me thirrje për ndryshim dhe kundër politikës aktuale.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë brohoritur “Studentët kërkojnë revolucion!”, ndërsa një tjetër slogan i përsëritur ishte “Shqipëria e rinisë, jo e partisë!”.
Të rinjtë u kanë bërë thirrje bashkëmoshatarëve dhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen protestave, duke e cilësuar si kërkesë kryesore dhe të panegociueshme dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu vijimin e qëndresës gjatë muajit shtator, ndërsa kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave përmes formave të mosbindjes civile.




