Gazetari dhe analisti Erl Murati ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë, që la në burg kryebashkiakun Erion Veliaj.
I ftuar në emisionin ‘Minuta e parë’ në News24 me gazetaren Ola Bruko, Murati tha se ishte një vendim që ai e priste, ndërsa shtoi se prej ditësh opinioni publik ishte pompuar me lajme se Veliaj kishte gjasa që të dilte nga burgu. Po ashtu ai tha se strategjia që ka ndjekur Veliaj, duke shprehur interes madje për të qenë ende pjesë e politikës, ishte ndryshe nga ajo e Saimir Tahirit, që tashmë shijon lirinë.
“E prisja këtë vendim. Është vendim që vjen në vazhdën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese! e kundërta do të përbënte surprizë. Opinioni publik ishte ‘mbarsur’ nga informacione dhe lajme se Veliaj do të dilte nga burgu. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash, disa vepra të rënda penale. Ishte normale që gjykata të ndërmerrte këtë vendim. Nga pikëpamja politike, ditët e fundit kishim të bënim me një aksion, për të mësuar opinionin publik me idenë se: Veliaj mund të dilte nga qelia. Ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën se ka shpërdoruar detyrën. Dhe t’u thuash qytetarëve që Veliaj do të dalë nga burgu, që të kryejë detyrën e tij, është autogol. Kjo bie ndesh me atë për të cilin ai akuzohet. Tashmë është betejë e hapur mes Veliajt dhe drejtësisë së SPAK. Kjo strategji ishte e gabuar, ndryshe nga Tahiri që dhe tashmë është i lirë duke gëzuar të drejtat e tij. Ndërkohë Veliaj ka shprehur ambicien e tij politike, gjë që i ka kushtuar. Kjo është shfrytëzuar dhe nga kampi i tij kundërshtar. Kjo mund të jetë dhe një ndër arsyet se pse ai ndodhet në burg. Ai është kryetar bashkie, është një nga 3-4 njerëzit më të fuqishëm politik në vend, sidomos kur ishte i lirë. Nuk pres të ketë surpriza, apo një zbutje, pasi do të ishte autogol nga ana e drejtësisë. Pres që drejtësia mos të bëjë autogola, mos të godasë veten.”, tha ai.
Read more:Kushtetuesja tha se arresti i Erion Veliajt ishte jo proporcional, çështja sot në Gjykatën e Lartë




