Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) në mbledhjen e sotme ka verifikuar dokumentacionin e kandidatëve që garojnë për 2 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese.
KED vendosi lejimin për të kandiduar për vakancat në Kushtetuese të Naureda Llagamit dhe Jordan Dacit, ndërkohë që ndaloi kandidimin e ish-komisionerit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Lulzim Hamitajt.
Vendet vakante janë ato të Elsa Toskës, e cila është dorëhequr, dhe të Sonila Bejtjës, që i takon vakancave të Presidentit. Për vendin e Elsa Toskës janë në garë 9 kandidatura, ndërsa për vendin e Sonila Bejtjës janë në garë 10 kandidatura.
Që prej shtatorit të vitit 2024, kur ish anëtarja Elsa Toska dha dorëheqje të menjëhershme, Kushtetuesja nuk e ka pasur të plotë trupën prej 9 anëtarësh, duke sjellë edhe vështirësi në marrjen e një vendimi të qartë.
Zëvendësimi i Elsa Toskës u zvarrit, pasi kohëzgjatja e mandatit të saj u vendos në pikëpyetje, nëse duhet të ishte i plotë, apo i pjesshëm. Kuvendi ndali procedurat, deri kur Gjykata Kushtetuese dha një vendim final, dhe tregoi se edhe Elsa Toska, si Holta Zacaj dhe Sonila Bejtja nuk duhet të gëzonin mandat të plotë, por të pjesshëm, për të garantuar ripërtëritjen apo rifreskimin e pjesshëm të GJK, me 3 anëtarë për çdo tre vjet, sipas Kushtetutës. Më pas Komisioni i Ligjeve hapi edhe një herë aplikimet për të gjetur një gjyqtar kushtetues, i cili do të zëvendësonte Elsa Toskën.
Në fazën e fundit KED bën vlerësimin e kandidaturave sipas pikëve dhe renditjen ja dërgon Presidentit dhe Parlamentit. Si Presidenti dhe Parlamenti kanë të drejtë të zgjedhin një emër mes 3 kandidaturave të renditura të parat sipas vlerësimit me pikë të KED. Në Parlament nëse njëri prej 3 kandidatëve nuk merr numrin e duhur të votave (84 vota), kalon automatikisht ai që renditet i pari, sipas vlerësimit të KED.
Ky proces duhet të ishte mbyllur prej kohësh, pasi ka kaluar çdo afat i përcaktuar nga ligji, për zëvendësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Njoftimi i KED:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe të përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e hënë, datë 21.09.2026, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të bërë publik në njoftimin e datës 16.09.2026.
KED, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave si edhe dokumentacionin e përgatitur nga relatorët lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidatët, vendosi:
Në lidhje me kandidaturën e z. Roland Ilia, KED shtyu diskutimin, për të kërkuar dokumentacion sqarues lidhur me vlerësimin e kandidatit.
Lejimin e kandidimit të zj. Naureda Llagami, e cila ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025.
Lejimin e kandidimit të zj. Naureda Llagami, e cila ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025.
Lejimin e kandidimit të z. Jordan Daci, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025.
Lejimin e kandidimit të z. Jordan Daci, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025.
Ndalimin e kandidimit të z. Lulzim Hamitaj, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të arsyetuar.
Ndalimin e kandidimit të z. Lulzim Hamitaj, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të arsyetuar.
Në lidhje me kandidaturën e zj. Helena Papa, KED shtyu diskutimin, për të kërkuar dokumentacion sqarues lidhur me vlerësimin e kandidatit.
Vijimin e diskutimit për kandidaturën e z. Alban Toro në mbledhjen e datës 23 shtator 2026.
Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në rubrikën dedikuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.




