Kryeministri Edi Rama njoftoi më 17 mars 2023 se i kishte propozuar Presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Në një postim në Facebook, Rama shprehu besimin se përgatitja, përvoja dhe respekti që Hyseni gëzonte në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës përbënin garanci për reformimin e mëtejshëm të SHISH-it.
Në atë kohë, Shërbimi Informativ i Shtetit kishte mbetur pa drejtues për afro një vit, pasi Helidon Bendo ishte larguar për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në dhjetor 2022 kishte dhënë dorëheqjen.
Vlora Hyseni kishte punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkarkuan Vlora Hysenin nga detyra e zëvendësdrejtores më 30 qershor të vitit 2021.
Në njoftimin e atëhershëm të qeverisë së Kosovës, nuk jepeshin më shumë hollësi përveç se vendimi është mbështetur në ligjin mbi këtë agjenci.
“Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme”, thuhej në deklaratë asaj kohe.
Propozimi i Ramës u shoqërua me debate. Opozita i kërkoi Presidentit Begaj që, përpara dekretimit të Hysenit, të merrte informacione mbi arsyet e shkarkimit të saj nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Pavarësisht kundërshtimeve, Begaj e dekretoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it më 3 prill 2023, rreth dy javë pas propozimit të kryeministrit.




