Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, pas përmbylljes së Sesionit të 42-të të Trajnimit të Vazhdueshëm të Kapitullit Europian të FBINAA-së.
Aktiviteti i zhvilluar nga data 19 deri më 23 shtator mblodhi së bashku 235 profesionistë dhe drejtues të lartë të strukturave ligjzbatuese nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe e gjithë Europa.
Përmes një postimi zyrtar, përfaqësia diplomatike e SHBA-së theksoi se ky rrjet profesionistësh të trajnuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së shërben si një urë e fuqishme për ndarjen e ekspertizës dhe goditjen e krimit të organizuar tej kufijve.
“Kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet tona janë më të sigurta,” nënvizohet në mesazhin e Ambasadës amerikane.
Sipas përfaqësisë diplomatike, synimi i përbashkët mbetet i qartë: garantimi i një zbatimi më të fortë të ligjit, rritja e parametrave të sigurisë publike dhe ndërtimi i komuniteteve më të mbrojtura si në SHBA, ashtu edhe në Shqipëri.




