Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Vaun e Dejës një nga risitë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2026, përfshirjen për herë të parë të sektorit të mbarështimit të derrave.
Gjatë ndalesës në fermën e Emaldin Smakaj, Salla bëri të ditur se kërkesa e tij dhe e shumë fermerëve të tjerë tashmë është bërë realitet.
“Premtimi i dhënë për mbështetjen e këtij sektori është mbajtur dhe shumë shpejt do të nisin edhe aplikimet,” u shpreh ai.
Për herë të parë në këtë sektor do të jepen 7,000 lekë për çdo fermer që mbarështon mbi 5 dosa, si një nxitje konkrete për zhvillimin e blegtorisë dhe rritjen e prodhimit vendas.
Në vijim të vizitës, ministri zhvilloi një takim me një grup fermerësh të zonës që merren me mbarështimin e derrave, ku prezantoi në detaje masën e re dhe rëndësinë e përfshirjes në skemat mbështetëse.
“Kjo është një masë që vjen si përgjigje direkte ndaj kërkesave tuaja dhe synon të mbështesë zgjerimin e aktivitetit, formalizimin e sektorit dhe rritjen e konkurrueshmërisë,” theksoi ministri.
Përmes kësaj mase të re dhe politikave mbështetëse, synohet forcimi i sektorit të blegtorisë dhe krijimi i më shumë mundësive ekonomike për fermerët në të gjithë vendin.



