
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër pas polemikave mes kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë seancës së jashtëzakonshme për çështjen e energjisë elektrike.
Tahiri deklaroi se Haxhiu nuk është personi i duhur për të mbajtur ligjërata mbi etikën parlamentare, duke e akuzuar atë për shkelje të vazhdueshme të rregullave gjatë kohës sa ishte deputete.
“Kryetarja e Kuvendit është njeriu i fundit që mundet me i fol dikujt për gjuhë dhe veprime parlamentare. Ajo ka shkelur secilin akt që duhet me shkel një deputet, duke filluar prej gazit dhe ofendimet më të mëdha që i kanë ndodhur ndonjë kryetari të Kuvendit, në këtë rast kryetarit Kadri Veseli”, tha Tahiri.
Ai i bëri thirrje kryeparlamentares që të shmangë provokimet, duke paralajmëruar për përshkallëzim të situatës në të ardhmen.
“Duhet me pas shumë kujdes mos me provoku situata, për shkak se herën tjetër do të rrijmë në foltore dhe nuk do të largohemi. Duhet me pas kujdes për ta ruajtur frymën parlamentare”, theksoi ai.
Debati vjen pasi gjatë seancës së sotme, Haxhiu dhe Haradinaj u përfshinë në përplasje verbale, ku kryetarja e Kuvendit i kërkoi disa herë liderit të AAK-së të ketë kujdes me gjuhën që përdor gjatë fjalimit të tij.


