Personi në foto është Kreshnik Mujeci, i cili mbeti i vrarë pasditen e sotme së bashku me bashkëshorten nga një atentat në Lezhë.
Në tetor të vitit 2017, Mujeci u arrestua si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Genci Mhillaj në Shkodër. 30 vjeç në atë kohë, Mujeci u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas gazetares Anila Hoxha, sipas një vendimi të vitit 2018 nga Gjykata e Shkodrës, Mujeci u shpall u pafajshëm lidhur me vrasjen në fjalë, me argumentin se “nuk provohet ta ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet”.
Automjeti i tij u gjet pak kilometra larg vendit ku u vra Mhillaj, ndërsa ai deklaroi asokohe se nuk kishte lidhje me vrasjen.
“Prova e vetme e pretenduar nga prokuroria si implikuese e të pandehurit Kreshnik Mujeci është se 2-3 km larg vendit të ngjarjes është gjendur e parkuar makina e tij është e mjaftueshme për të hedhur poshtë akuzën e ngritur ndaj këtij të fundit, si akuzë të paprovuar me prova bindëse, por vetëm me një indicie tejet periferike. Nga analiza e dëshmisë së shtetasit M.M rezulton se i pandehuri Kreshnik Mujeci ka shkuar dhe herë të tjera për të pirë kafe tek lokali i dëshmitarit pak metra më tutje dhe e ka parkuar makinën e tij dhe herë të tjera në atë vend.
Në këto kushte, vetëm fakti se këtë herë makina e të pandehurit është gjetur e parkuar në atë vend jo të pazakontë, nuk arrin dot as në nivelin e indicies për fajësinë e tij. Po ashtu nga vetë i pandehuri Kreshnik Mujeci u shpjegua versioni i ngjarjes. I pandehuri deklaroi se ai me të marrë vesh për faktin se sipas lajmeve kushëriri i tij Jozefi kishte kryer një vrasje e çmoi të arsyeshme për shkak të ndonjë hakmarrje të mos lëvizte nga vendi ku po qëndronte po ashtu ka bërë dhe me makinën”-thuhet në arsyetimin e gjykatës.



