Ka momente në politikë kur realiteti e tejkalon satirën. Ajo që ndodhi së fundmi në Partinë Demokratike nuk ishte më thjesht një proces i deformuar, por një formë tragji-komike e ushtrimit të pushtetit brenda një partie që dikur pretendonte standarde demokratike. Gara për drejtimin e saj nuk u zhvillua — ajo u mbyll end pa filluar. Jo përmes votës, por përmes derës.
Pra, Sali Berisha vendosi të mos konkurrojë. Kandidatët e tjerë nuk u mundën politikisht; ata u përjashtuan administrativisht. Në këtë kuptim, nuk kemi më të bëjmë me një proces zgjedhor, por me një konfirmim të paracaktuar.
Read more (sali berisha):Përjashtimet nga gara për kreun e PD, Berisha: S’mund të lejonim kandidatët e Ramës, Salianji merr udhëzime nga krimi
Ironia është se, nëse do të ekzistonte një standard minimal për përjashtim nga një garë e tillë, ai do të duhej të fillonte pikërisht nga vetë Berisha. Ai është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion, minimin e demokracisë dhe ndërhyrje ndaj drejtësisë. Ndaj tij rëndojnë gjithashtu akuza nga SPAK për çështje korrupsioni. Mbi të gjitha, ekziston edhe një akuzë e artikuluar publikisht në vitin 2021 nga drejtues të lartë të Partisë Demokratike, sipas së cilës ai jo vetëm ka pasur kontakte, por ka bashkëpunuar me figura të krimit të organizuar për organizimin e aktiviteteve politike. Në çdo sistem normal, një profil i tillë do të ishte objekt reflektimi të thellë institucional, jo rikandidimi pa garë.
Megjithatë, ajo që e bën këtë situatë edhe më problematike është mungesa e reagimit përtej Partisë Demokratike. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar konsistente në qëndrimin e tyre, dhe Mbretëria e Bashkuar e ka konfirmuar atë edhe në rrugë gjyqsore, përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe qeveritë përkatëse shfaqen të distancuara, për të mos thënë indiferente.
Read more (non grata):Vilant Xhori: Të mjerët përballë Meremes, një zgjedhje pa zgjidhje
Ky nuk është më një problem i brendshëm partie. Duke bllokuar çdo mundësi rinovimi dhe çdo garë reale, Berisha nuk po kontrollon vetëm Partinë Demokratike; ai po kufizon funksionimin e opozitës si alternativë. Dhe në një sistem politik, një opozitë e paralizuar nuk është thjesht një dobësi e saj — është një avantazh i drejtpërdrejtë për pushtetin.
Në këtë kuptim, dinamika aktuale nuk prodhon vetëm një lidership të pakontestuar brenda partisë, por kontribuon në stabilizimin e një ekuilibri të deformuar politik. Kryeministri Edi Rama përfiton nga një opozitë e paorganizuar dhe e pa rinovuar; ndërsa vetë Berisha siguron mbijetesën politike dhe familjare duke shantazhuar verbalisht, nga pozicioni i liderit të opozitës, gjyqtarët dhe prokurorët që merren me cështjet e tij. Ky është një ekuacion që mund t’u shërbejë individëve, por jo sistemit.
Read more (korrupsion):Spahiu: Kush ja kthen shëndetin dhe jetën Ilir Metës, nëse merr pafajësi pas 3 vjetësh paraburgim?
Kjo është arsye madhore se pse heshtja ndërkombëtare nuk duhet të jetë neutrale. Një ambasadë mund të ketë çdo të drejtë të interesohet për çështje korrupsioni apo institucionale, siç është funksionimi i administratës digjitale, por nuk mund të mbetet e painteresuar kur një akt politik prek drejtpërdrejt standardet demokratike, konkurrencën dhe vetë parimin e përfaqësimit.
Sepse ajo që po ndodh sot nuk është thjesht një proces i mbyllur brenda një partie. Është një sinjal më i gjerë për mënyrën se si funksionon politika shqiptare: rregullat ekzistojnë, por nuk zbatohen; gara shpallet, por nuk zhvillohet; alternativat përmenden, por nuk lejohen.
Read more (Edi Rama):Takimi im i parë me Meremen, kryeministren e ardhshme të Shqipërisë
Dhe nëse kjo normalizohet, atëherë pasojat nuk do të jenë të menjëhershme, por të akumuluara. Ato do të shfaqen në zgjedhjet e ardhshme, në cilësinë e përfaqësimit dhe në vetë besimin publik ndaj sistemit. Për Berishën dhe agendën e tij personale edhe 20 deputetë janë të mjaftueshëm për t’i siguruar mbijetesën. Por, për Shqipërinë një opozitë e bllokuar nuk prodhon rotacion dhe një rotacion i munguar nuk prodhon përgjegjësi të qeverisjes.
Pra, nëse Bashkimi Europian kërkon një demokraci funksionale në Shqipëri, ai nuk mund të sillet si vëzhgues selektiv. Sepse një opozitë e marrë peng nuk është thjesht problem i vogël partie — është, sikurse po dëshmohet cdo ditë, një problem i madh demokracie.
Read more (Politika):Roland Lami: Partia ime, topin e gjuaj vetë
Sepse në fund, çështja nuk është më vetëm se kush drejton Partinë Demokratike. Është nëse Shqipëria po mësohet të funksionojë me një demokraci pa garë dhe me rregulla që vlejnë vetëm kur nuk pengojnë apo favorizojnë pushtetin. Nëse ky model pranohet në heshtje, atëherë mesazhi është i qartë: mjafton që forma të ekzistojë, edhe kur përmbajtja mungon. Dhe në këtë logjikë, Shqipëria mund të ecë drejt Europës në procedurë, por jo në standard.





