Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, identifikuar me inicialet E.R., është ndaluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, i dyshuar për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Ndalimi i tij vjen si pjesë e hetimeve për rastin e regjistruar me procedimin penal për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasve Adriel Zanaj dhe Keivin Duro.
Gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar nga Zanaj, u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, ndërsa dy shtetasit u arrestuan në flagrancë. Hetimet për këtë rast po vijojnë.
Gjatë hetimeve për këtë çështje, Prokuroria ngriti dyshime për përfshirjen e oficerit E.R. në veprimtari të kundraligjshme dhe të dyshuara korruptive, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në hetimin e çështjes.
Si pasojë, janë kryer veprime të mëtejshme hetimore, nga ku u grumbulluan prova që implikojnë oficerin.




